25 Shkurt, 2025 - 9:47 pm
Në kuadër të festës së 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Izrael organizoi pritje zyrtare dhe program artistik. Me këtë rast u hap edhe ekspozita e titulluar “Kosova dhe Izraeli përmes syve të njëri-tjetrit”, një projekt i përbashkët i të dyja vendeve.
Në shënimin e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, për herë të parë Kosova dhe Izraeli kanë hapur një ekspozitë të përbashkët në Tel Aviv.
Ekspozita e fotografit kosovar, Naser Thaçi dhe izraelites Ella Waldman paraqet një moment historik në bashkëpunimin kulturor mes dy vendeve.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të korit diplomatik në Izrael, të institucioneve shtetërore izraelite, politikanë, miq të Kosovës dhe bashkëkombës të profileve të ndryshme.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të shohin Kosovën përmes objektivit të një fotografeje izraelite dhe Izraelin përmes objektivit të një fotografi kosovar, duke krijuar një dialog të veçantë mes dy kulturave.
Ekspozita synon të promovojë vlerat kulturore dhe historike të të dyja vendeve, si dhe të forcojë lidhjet mes Kosovës dhe Izraelit përmes artit dhe fotografisë./rtk/ KultPlus.com