28 Janar, 2022 - 10:45 pm
“Kongresi i Lushnjës”, titullohet ekspozita me dokumente origjinale e hapur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Galerinë e Artit Tiranë (GAT), me rastin e 102-vjetorit të organizimit të këtij kongresi.
Ekspozita u hap në mjediset e Galerisë së Artit Tiranë dhe në të janë ekspozuar procesverbalet e secilës mbledhje të Kongresit të Lushnjës, shoqëruar me vendimet përkatëse, fotografitë e delegatëve të kohës, akti i caktimit të Tiranës si kryeqytet i përkohshëm, themelimi i Regjencës, si edhe fotografitë e personaliteteve kryesore që e përbënin atë.
Në një dalje të përbashkët për mediat, drejtori i DPA-së, prof.asoc.dr.Ardit Bido dhe drejtori i GAT-it, Abaz Hado, u shprehën se ekspozita “Kongresi i Lushnjës”, vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vijueshëm, me qëllimin e paraqitjes së dokumenteve dhe fotografive origjinale të ngjarjeve më të rëndësishme në historinë kombëtare.
“Është kënaqësi të prezantojmë një ekspozitë me dokumente origjinale për këdo që është i interesuar, në lidhje me një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë, Kongresin e Lushnjës, që ndikoi në themelimin e shtetit modern shqiptar. Ne zhvillojmë ekspozita të tilla me dokumente origjinale, të cilat janë të pazëvendësueshme, pasi nëpërmjet tyre jo vetëm krijojmë idenë për veprimtarinë dhe ngjarjen e kohës, por edhe ‘shijen’ që përcillet përmes letrës apo fotografive, të cilat ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror. Prandaj ne u themi nxënësve, studentëve, të apasionuarëve pas historisë, si edhe njerëzve të zakonshëm, që duan të njohin të shkuarën përmes dokumentit apo fotografisë origjinale, të vijnë në një mjedis publik siç është Galeria e Artit e Tiranës, që ndodhet në një nga rrugët më qendrore të kryeqytetit”, tha Bido.
Në fjalën e tij, Hado bëri me dije se në kuadër të bashkëpunimit me DPA-në, parashihet nënshkrimi i një memorandumi dhe realizimi i ekspozitave të një trajte tjetër.
“Ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Arkivin e Shtetit, sepse kemi një synim të qartë. Sallat e AKT nuk ekspozojnë vetëm artin pamor, por edhe dokumente. Kemi rënë dakord që së shpejti të bëjmë një memorandum bashkëpunimi, kemi plane të tjera përveç ekspozitave të këtij karakteri. Do bëjmë ekspozita edhe me fondin e pikturave që ka Arkiva e Shtetit. Ne jemi duke diskutuar. Janë vepra shumë të rëndësishme, të panjohura për publikun, dhe do kenë fatin të ekspozohen për herë të parë në Galerinë e Tiranës”, tha Hado.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 1 shkurt 2022 në Galerinë e Artit Tiranë. / KultPlus.com