29 Nëntor, 2021 - 8:00 pm
Pjesë e aktiviteteve të “Javës së Flamurit”, në Gjirokastër, ka qenë edhe çelja e ekspozitës me kartëmonedhat shqiptare të emetuara në vite e koleksionistit të apasionuar, Girando Koti.
Ekspozita e çelur me mbështetjen e bashkisë së Gjirokastrës, titullohej “Kartëmonedha shqiptare në 100 vite” dhe përfshinte disa emisione të parasë shqiptare, të emetuara apo të përdorura prej vitit 1926 deri në ditët e sotme.
Ndërsa ka vizituar ekspozitën, kryetari i bashkisë Flamur Golemi u shpreh se “një mesazh të veçantë në përvjetorin e Pavarësisë, përcjell edhe kjo ekspozitë me publikimin e historikut të kartëmonedhës shqiptare”.
Koleksionisti Girandi Koti pohon se, fondi i kartëmonedhave të ekspozuara i përket koleksionit të tij personal.
“Emisioni i parë i kartëmonedhave të publikuara në ekspozitë përfshin periudhën 1926-1939, për të vazhduar me kartëmonedhat e emetuara nga Banka e Shqipërisë apo të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore, vitet 1945-1990 ndërsa pjesë e emisionit të katërt janë kartëmonedhat e emetuara dhe që janë përdorur këto 30 vitet e fundit në vendin tonë. Historiku i kartëmonedhës shqiptare në 100 vite është pjesë e pandashme e historikut të shtetit shqiptar, fillimet e të cilit janë në qeverinë e Vlorës, të drejtuar nga Ismail Qemali. Çelja e kësaj ekspozite në 109-vjetorin e Pavarësisë është domethënëse”, thotë koleksionisti Girando Koti.
Ekspozita ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve, duke përfshirë edhe turistët, të cilët në këtë atmosferë të Festave të Nëntorit janë të pranishëm në Gjirokastër. / KultPlus.com