13 Nëntor, 2021 - 5:30 pm
“Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane” titullohet ekspozita e çelur mbrëmjen e djeshme në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.
Në çeljen e ekspozitës ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, zv/kryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Dr. Mahmut Çevik; Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk; drejtori i Muzeut “Marubi”, Luçjan Bedeni; drejtori i Instituti “Yunus Emre” Shkodër, Zafer Kıyıcı; si dhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.
Margariti shprehet se “gjithnjë e kishim lidhur Marubin me Italinë, vendin e origjinës, por tashmë do të duhet ta lidhim me një hapësirë shumë më të madhe se kaq”.
Krahas projekteve të përbashkëta për restaurimin dhe rijetëzimin e trashëgimisë kulturore, shprehet ministrja, ekspozita “Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane” përbën një prej momenteve më të rëndësishme të bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë.
“Kjo është hera e parë që do të ekspozohen koleksionet e fotografëve të Perandorisë Osmane, që ruhen në arkivën e Sulltan Abdul Hamid II në Yildiz Palace, Stamboll, ku nuk mungojnë edhe disa fotografi të qyteteve shqiptare dhe veshjeve kombëtare përgjatë shek. XIX”, tha Margariti.
“Me të gjithë mbështetjen tonë ekonomike dhe shpirtërore synojmë fuqizimin e të gjithë elementëve kulturore. Në këtë gjeografi, në këtë territor kemi bashkëjetuar për një kohë shumë të gjatë dhe gjatë kësaj periudhe kemi kultivuar poetë, muzikantë dhe artistët tanë të përbashkët. Në mbështetjen e kësaj ekspozite, me kontributin e çmuar dhe të pakursyer në hapjen e kësaj ekspozite nuk patëm asnjëherë asnjë ngurrim”, tha zv.kryetari i TIKA, Çevik.
Ambasadori Yöruk tha se Shqipëria dhe shqiptarët zënë një vend të veçantë në zemrën e kombit turk, duke shtuar se “marrëdhëniet dypalëshe shumë të mira që gëzojmë sot, marrin forcë nga historia e përbashkët, kultura dhe lidhjet rrënjësore mes popujve tanë. Miqësia mes turqve dhe shqiptarëve e lindur afërisht 6 shekuj më parë, aktualisht vazhdon të ndikojë pozitivisht të sotmen tonë”.
Ekspozita “Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane” erdhi e shoqëruar me botimin “Photographers in the Ottoman Era From Istanbul to Shkodër” (Fotografë të Periudhës Osmane nga Shkodra në Stamboll).
Botimi hedh dritë mbi krijimtarinë e Vëllezërve Abdullahyan, Vëllezërve Gülmez, Pascal Sébah, Vasilikis Kargopoulos, Félix Bonfils, Guillaume Berggren, Nikolaos Andriomenos, Bogos Tarkulyan (Phébus), Bahriyeli Ali Sami, stampimet e të cilëve ruhen sot në albumet fotografike të koleksionit të Sulltan Abdyl Hamitit II.
Krahas fotografëve më të famshëm të Perandorisë Osmane, gjejmë edhe fotografitë e Pietro Marubbi-t, disa në bardh e zi e të tjera të ngjyrosura përsipër, pamje të qyteteve, shkollave dhe njerëzve me veshjet tradicionale, që i gjejmë të tregtohen edhe në formën e kartolinave me mbishkrimin “Souvenir de Scutari d’Albanie”.
Renditja e Pietro Marubbi-t përkrah disave prej emrave më të njohur të historisë së fotografisë botërore dëshmon edhe njëherë rëndësinë e kësaj studioje fotografike, imazhet e së cilës ishin ndër të parat që ia prezantuan Shqipërinë botës./atsh/KultPlus.com