23 Dhjetor, 2020 - 3:47 pm
Medina Pasoma
Në 31 vjetorin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shënoi hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” në Muzeun Shtëpia e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan KultPlus.
Nën kurimin e Shkumbin Brestovcit, përmes kësaj ekspozite u shfaqën para publikut fotografitë, dëshmitë historike, botimet dhe pjesë nga librat vendorë e ndërkombëtarë nga periudha përgjatë së cilës një parti politike simbolizonte unifikimin dhe rezistencën mbarëpopullore të kombit shqiptarë.
Në hapjen e kësaj ekspozite i pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili e cilësoi këtë ekspozitë që flet me pak fjalë nëpërmjet fotografisë dhe fakteve nga përpjekjet historike të shqiptarëve.
“Një ekspozitë e jashtëzakonshme që për 10 minuta ti e ke para syve komplet historinë e popullit të Kosovës deri në ditën e sotme”, tha Hoti.
Në anën tjetër, ministrja në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi për KultPlus u shpreh se qëllimi i kësaj ekspozite qëndron në edukimin dhe shpërfaqjen nëpërmjet arkivave të realitetit historik.
“Kjo ekspozitë për mua është një pjesë e mallëngjimit e shumë njerëzve që kanë qenë pjesëmarrës dhe sot nuk i kemi në mesin tonë, por kontributi i tyre ka qenë shumë i madh, mbase ndonjëherë i harrojmë për këtë kontribut”, u shpreh ministrja Dumoshi.
Tutje ajo theksoi se ky bashkim historik i dokumentacioneve në një ekspozitë, është një dhuratë shumë e rëndësishme për ditëlindjen e 31-të të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kuratori i cili ka sjellur finalizimin e kësaj ekspozite për një periudhë 3 vjeçare, Shkumbin Brestovci detajoi për KultPlus burimet që i ka përdorur.
“Aspekti kuratorial është bazuar kryesisht në libra, natyrisht se ka pasur edhe burime narrative, që kam folur me njerëz, ka burime gazetareske, por shumica janë të bazuara në libra”, ka thënë Brestovci.
Nga të gjitha pjesët të cilat sjellin kontribute në fusha të ndryshme, kuratori veçoi shëndetësinë dhe shkollimin, gjë për të cilat tha se edhe publiku janë mahnitur me këtë aspekt të rezistencës.
“Mënyra se si është organizuar shëndetësia, si janë hapur ato 96 klinika, si janë mbajtur nëpërmjet punës vullnetare të mjekëve, është rast unik në botë, ka pasur edhe në vende tjera por jo në këso përmasash”, vlerësoi Shkumbini.
Ai përmendi edhe shkollat paralele, për të cilat tha se nga 10.000 interesime të qytetarëve për kthimin e shtëpive të tyre në shkolla, 3.000 prej tyre u shndërruan në shtëpi-shkolla.
“Unë kam takuar arsimtarë dhe profesorë që kanë thënë se nxënësit e studentët e mi të viteve të 90-ta janë më të mirë se të viteve të 80-ta, dukshëm më mirë se të 2000-tat”, tha kuratori Brestovci, duke treguar rëndësinë që kishin këto iniciativa në atë kohë.
Përveç restrospektivës të atyre që e kanë përjetuar këtë periudhë, Brestovci thekson edhe qëllimin e kësaj ekspozite për të rinjtë.
“Ideja është tua prezantojmë si dromca të ngjarjeve që ua ngacmon kureshtjen, në mënyrë që ta hulumtojnë duke ju dukur interesante”, u shpreh Shkumbin Brustovci.
“Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” në Muzeun Shtëpia e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova” do të qëndroj e hapur për kureshtjen e publikut. / KultPlus.com