6 Tetor, 2021 - 11:52 am
Është hapur ekspozita ‘Red Dress’ në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës që shfaqen histori dhe tregime të grave nga kultura dhe vende të ndryshme tregohen përmes artit të qëndisjes.
Ky është rrëfimi prapa Fustanit të Kuq, një instalacion që po udhëton në vende të shumta të botës, dhe tani mund ta shihni edhe në Prishtinë.
Duku u qëndisur vazhdimisht, Fustani i Kuq udhëtoi nëpër botë përgjatë 12 viteve, nga viti 2009 deri në vitin 2021.
Fustani është qëndisur nga gra refugjate nga Palestina, refugjate që u strehuan në Manchester nga lufta në Kosovë, Ruandë dhe RD Kongo, gra në Afrikën e Jugut, Meksikë dhe Egjipt, gra në Kenia, Japoni, Paris, Suedi, Peru, Republikën Çeke, Dubai, Afganistan, Australi, Argjentinë, Zvicër, Kanada, Tobago, ShBA, Rusi, Pakistan, Uells, Kolumbi dhe Mbretëri të Bashkuar, si dhe studio të qëndisjes në Indi dhe Arabi Saudite.
Në hapjen e kësaj ekspozite morën pjesë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Nicholas Abbott, znj. Kirstie Macleod, ideuese e projektit, znj. Pamela Dawes, themeluese e Manchester Aid to Kosovo, z. Fazli Gajraku, Drejtor i BKK dhe artistë e përfaqësues të kulturës nga Kosova.
Ministri Çeku u shpreh i lumtur që një ekspozitë kaq domethënëse po prezantohet edhe në Kosovë dhe pjesëmarrja e grave nga vendi ynë në këtë projekt po e bënë shoqërinë tonë pjesë të promovimit të paqes në botë.
Ndërsa Ambasadori, z. Abott tha që është prekëse të shoh artin e krijuar nga Sister Stich dhe të dëgjojë rrëfimet e grave nga Kosova që ishin refugjate në Manchester në vitin 1999, veçanërisht në një kohë kur Kosova vet po mirëpret refugjatët nga Afganistani.
Ekspozita do të qëndroj në Kosovë deri të dielën, fillimisht në Bibliotekë, pastaj në Galerinë Qahili dhe më pas do të shfaqet në Podujevë./KultPlus.com