11 Qershor, 2024 - 5:32 pm
Vjollca Duraku
“Reporting House” quhet ekspozita e cila u hap mbrëmë në ish- objektin e mallrave “Gërmia” me fotografi, dukumente, dokumentare e vepra të ndryshme artistike të cilat dokumentojnë ngjarjet që kanë ndodhur në vitet e ’90-ta, me theks të veçantë krimet serbe në vitet 1998- 1999, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë e kuruar nga Gazmend Ejupi dhe Jeta Xharra është hapur me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, dhe prezanton përmbajtje arkivore nga puna e gazetarëve, fotografëve dhe punonjësve të mediave, të cilat vijnë si dëshmi për të krijuar kujtesë kolektive mbi ngjarjet që ndodhën para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Protestat e 1 tetorit 1997”, “Protestat e minatorëve“, “Mësimi në shtëpitë-shkolla”, pamje nga protesta “Bukë për gratë dhe familjet e Drenicës” , pamje të qytetarëve të vrarë, pamje të refugjatëve, dhe rrëfime për përjetime të ndryshme erdhën më të gjalla se kurrë përmes kësaj ekspozite e cila do të qëndroj e hapur deri në javën e dytë të shtatorit.
“Reporting House” përmban fotografi, artefakte e dokumentarë të Vaughan Smith, Jeremy Bowen, David Loyn, Flaka Surroi, Alban Bujari, Ilaz Bylykbashi, Ridvan Slivova, Paul Lowe, Donika Shahini, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Hazir Reka, Gzmend Avdiut, Eki Rrahmanit dhe do të shtrihet edhe në Hamamin e Prishtinës e në galerinë “Paper”, sipas organizatorëve gjithmonë duke synuar përsiatje, dialog dhe katarzë.
Si pjesë e kësaj ekspozite janë prezantuar rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën gjatë viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste-TV publik gjerman, Nippon TV-Televizion publik japonez, RTE-TV publik irlandez, EO 2 Vandaag-TV publik holandez), Tele 5-TV spanjoll dhe Frontline Television News.
Kuratori i ekspozitës, Gazmend Ejupi ka thënë se ideja për realizimin e një projekti të tillë synon informimin e gjeneratave të reja mbi atë që ka ndodhur në Kosovë në të kaluarën.
“Koncepti kuratorial ka filluar me angazhimin e Jetës për të pasur një ekspozitë për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Ideja e ekspozitës është për të t’u dhënë të rinjve informacione dhe histori të së kaluarës. Përveç reportazheve ideja ka qenë të jetë e lidhur gjithmonë me gazetari për këtë ekspozitë, nga ku kemi filluar ta diskutojmë dhe të ftojmë edhe artistë të tjerë që kanë lidhje me mediumin e videos, që kanë referencë për luftë, imigrim”, është shprehur kuratori Ejupi.
Ai më tutje ka bërë të ditur se “Reporting House” është një ekspozitë e cila kërkon shumë kohë për ta eksploruar në tërësi.
“Jemi ofruar te Komuna për të kërkuar një hapësirë dhe na është ofruar kjo. Ekipi i ndërmarrjes publike banesore ka bërë një punë të mrekullueshme. Ky ka qenë një vend jofunksional, 1770 m2 shtë kuruar në mënyrë minimale, me hapësirë për shikuesit për të shëtitur, për të pyetur. Mirëpo nuk është ekspozitë që mundesh me pa për një ditë. Kjo është një farë procesi edukativ i cili ka referenca shumë me rëndësi dhe dokumentarë të cilët marrin kohë. Në anën e majtë është një hapësirë që është krijuar vetëm për BBC-në që na ka dhënë të drejtën për të shfrytëzuar materiale të cilat nuk guxojnë të publikohen diku tjetër”, ka bërë të ditur kuratori Ejupi.
Ndërsa për rolin e fuqishëm që ka fotografia në dokumentimin e luftës e potencoi edhe fotografi amerikan Ron Haviv, i cili ka qenë fotoreporter në luftën e vitit ’99 në Kosovë.
“Mendoj se fotografia është jashtëzakonisht e fuqishme në këtë drejtim, sepse pak pas lufte kam pasur një bisedë me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara dhe ai pati thënë se një prej arsyeve pse kanë intervenuar në Kosovë shumë më shpejt sesa në Bosnjë ka qenë për shkak të fotoreporterëve”, ka thënë Haviv.
Fotografi Haviv Kosovën sot e sheh si shembull nga i cili sipas tij duhet të frymëzohen edhe ukrainasit.
“Jam i kënaqur të shoh se ku është Kosova sot, sidomos në krahasim me Bosnjën. Kosova është frymëzim për Ballkanin dhe mendoj se ukrainasit sot do të marrin shembull se si të ringjallen sërish”, ka gjithashtu Haviv.
Kurse presidentja Vjosa Osmani e cila po ashtu ishte pjesë e kësaj ekspozite ka deklaruar se e vërteta as nuk mund të mohohet e as të ndryshohet pasi krimet janë bërë para syve të botës.
“Pikërisht për shkak të storjeve të këtyre gazetareve u njoh e vërteta për Kosovën dhe siç e them rëndom në çdo diskutim, ne çdo prezantim ne samite ndërkombëtare se e vërteta as nuk mund të mohohet as nuk mund të ndryshohet, sepse ajo ka ndodhur para syve të botës dhe arsyeja pse ka ndodhur para syve të botës janë këta njerëz që i shihni ju këtu, i falënderoj për kontributin”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja më tej shtoi se nuk duhet të ndalen përpjekjet për ta mbrojtur të vërtetën e popullit të Kosovës.
“Përgëzime për punën nuk duhet të ndalemi me kaq, duhet të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta edhe spektri politik dhe gazetarët, të gjitha mediat, shoqëria civile në mënyrë që së bashku ta mbrojmë të vërtetën tonë, në mënyrë që dhimbja të cilën e kemi përjetuar si popull mos të përsëritet më kurrë”, është shprehur më tej presidentja.
Në këtë ekspozitë ishte e pranishme edhe profesoresha universitare Remzie Shahini- Hoxhaj, e cila u befasua nga pamjet e shtëpive shkolla ku ajo kishte vijuar shkollimin e mesëm, e më pas edhe me pamjet e protestave të 1 tetorit, ku kishte qenë pjesë e organizatës studentore.
“Pamjet që po i shihni në ekran janë pamjet e protestës së 1 tetorit 1997, në atë kohë unë kam qenë studente e Universitetit të Prishtinës. Kjo është protesta e parë jo e dhunshme që e kemi organizuar si union i studentëve për kthimin e objekteve shkollore, të cilat atë kohë u morën nga okupuesit. Unë i kam pasur dy detyra atë ditë, kam qenë mbajtëse e rendit dhe vëzhguese. Si organizatë studentore kemi punuar mjaftë gjatë, diku rreth 2-3 muaj për organizimin e kësaj proteste, sepse e kemi pasur parasysh se me çfarë pushtues kemi të bëjmë, sepse ka qenë shumë e vështirë me u organizua në atë kohë, imagjinoni vetëm mjete komunikimi nuk ka pasur, telefona statikë”, ka thënë profesoresha Shahini- Hoxhaj, duke potencuar se pamjet e tilla i ngjallën emocion ngase tregojnë një histori shumë të brishtë të Kosovës, për të cilën gjë ka falënderuar edhe organizatorët.
“Besoj që është shumë mirë që është marrë kjo iniciativë për organizimin e kësaj ekspozite për t’u shpërndarë edhe në tjera vende, për shkak se të rinjtë tanë duhet ta shohim se edhe kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë sonë përmes së cilës ne kemi arritur edhe deri te liria. Neve na është cenuar liria e shprehjes, fjala, shkollimi dhe unë besoj që shumë shpejt e harrojmë në qoftë se nuk i ripërtërijmë, nëse nuk i kujtojmë, i harrojmë ngjarjet të cilat na kanë ndodhur” ka thënë më tej profesoresha Shahini- Hoxhaj.
Ndërsa artisti Burim Myftiu për ekspozitën “Reporting House” tha se është njëra prej ekspozitave më domethënëse sa i përket tematikës së luftës së Kosovës.
“Është një paraqitje e mrekullueshme, mund të them një prej ekspozitave më të bukura të pas luftës, duke iu falënderuar kuratorit Gazmend Ejupit, organizatores Jeta Xahrra. Është një përmbledhje e mrekullueshme, por mbi të gjitha është fenomeni i riaktivizimit të qendrës tregtare “Gërmia”- shtëpisë së parë të mallrave në Prishtinë dhe ëndrra e çdo kujt që ky objekt prap të funksionalizohet, aq më mirë si një galeri arti”, ka thënë artisti Myftiu.
“Reporting House” është mundësuar nga “BIRN Kosova”, “KALLXO.com”, “Bienalja e Prishtinës” dhe “Paper Gallery” dhe do të qëndroj e hapur deri në javën e dytë të shtatorit, dhe mund të vizitohet nga e marta në të shtune, përgjatë orës 10:00- 18:00./ KultPlus.com