Hapet ekspozita “Trashëgimia në ngjyrë”, sjellë një homazh të fuqishëm për vlerat, historinë dhe identitetin kombëtar

20 Nëntor, 2024 - 9:59 pm

Vjollca Duraku

Artistet Qëndresa Krasniqi dhe Elvira Shyti-Kasapolli sot kanë hapur ekspozitën “Trashëgimia në ngjyrë” në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, me motive nga trashëgimia kulturore si një homazh i fuqishëm për vlerat dhe historinë të cilat e përbëjnë identitetin kombëtar shqiptar.

Në 10 punime me dimensione të ndryshme janë të paraqitura xhubleta me elemente përbërëse të saj, si një veshje tradicionale shqiptare që mishëron historinë dhe identitetin shqiptar, si dhe qilime me detaje si simbol tradicional shqiptare që pasqyron jetën e zakonshme familjare të një familje tradicionale. Teknika e punës e përdorur në këto piktura është akrilik dhe pëlhurë ne vaj.

Pikturat përmes linjave të ndërlikuara, ngjyrave të ndezura, elementeve të çrregullta dhe abstrakte e tejkalojnë kuptimin parësor të paraqitjes si vlera kulturore duke të ftuar në një reflektim mbi lidhjet e kohës së tashme me ta kaluarën.

Folësi në këtë kspozitë Agim Krasniqi në fjalën e tij në ceremoninë hapëse ka thënë se kjo ekspozitë është një ftesë për të eksploruar trashëgiminë kulturore, përmes gjuhës universale të artit, duke i rikthyer në vëmendje vlerat që përbëjnë identitetin tonë kombëtar.

“Çdo vepër është një dialog mes të kaluarës dhe të tashmes, një përpjekje për të mbajtur të gjallë kujtesën kolektive dhe për t’i dhënë një frymë të re trashëgimisë sonë kulturore. Xhubleta, e njohur ndërkombëtarisht nga UNESCO, na kujton rëndësinë e ruajtjes së identitetit tonë dhe vlerave që na bashkojnë.Qilimi, simbol i ngrohtësisë dhe familjes tradicionale shqiptare, shfaqet këtu si një urë mes brezave, duke na kujtuar se arti ka fuqinë të mbartë emocione dhe mesazhe që mbeten të freskëta në çdo kohë”, ka thënë Agim Krasniqi.

Krasniqi më tej ka thënë se kjo ekspozitë na fton të reflektojmë dhe të ndiejmë, por mbi të gjitha, frymëzon të vlerësojmë dhe të ruajmë pasuritë tona kulturore.

“Përmes këtyre veprave, artistet jo vetëm që kanë sjellë një interpretim të veçantë të trashëgimisë sonë, por gjithashtu na kanë dhënë një perspektivë të re për ta parë artin si një mënyrë për të ndërlidhur të kaluarën me të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen. Në këtë botë të ndryshueshme, arti mbetet një forcë e qëndrueshme që na kujton se kush jemi dhe nga vijmë. Në emër të të gjithë të pranishmëve, dua të falënderoj artistet për këtë punë të jashtëzakonshme dhe për pasionin me të cilin ato kanë sjellë në jetë trashëgiminë tonë. Na kanë dhënë një dhuratë të vyer – një udhëtim emocional përmes ngjyrave dhe motiveve që përfaqësojnë identitetin tonë”, ka thënë Krasniqi më tej.

Ndërsa, profesoresha Tolinda Gojani ka thënë artistët duhet ta interpretojnë artin e tyre edhe përmes trashëgimisë që stërgjyshet i kanë lënë si pasuri shpirtërore, më shumë se sa si pasuri materiale.

“Në ndërkohë po mendoja sa mirë kanë bërë gjyshet tona që i kanë angazhuar edhe burrat për të krijuar arkat, kutitë prej druri, e prej arome molleje që t’i ruajmë si vlera që sot ne po i trashëgojmë. Xhubleta përveç që përfaqëson një pasuri materiale unë e shoh më shumë si një pasuri shpirtërore, sepse aty është derdhur komplet një jetë e tërë, një cikël i jetës së tërë, një psikologji botëkuptimesh të shekujve të shtresuara njëra mbas tjetrës me të gjitha ato peripeci që ato i kanë kaluar. Kemi të bëjmë me figura mitike, kozmike, gjeometrike antromomorfe, zoomorfe, florale të gjitha këto janë pasuri të cilat ne po i trashëgojmë pas qindra vitesh si një pasuri shpirtërore”, ka thënë profesoresha Gojani.

Ndërkaq, artistja Qëndresa Krasniqi ka thënë punimet e saj janë punuar për një kohë shumë të shkurtër me një pasion të jashtëzakonshëm.

“Kam përzgjedhur motivet e xhubletës duke përfshirë, spiralen, shqiponjën gjarprinjtë motive gjeometrike, drejtkëndësha me vijëzime të cilat ka domethënie dhe mesazhin e vet duke përfshirë këtu besimet, statusin e femrës për kulturën, traditën shqiptare. Pres që vizitorët të informohen, të vlerësojnë kulturën traditat vlerat kulturore sepse me të vërtetë është shumë e pasur, ka thënë artistja Kraniqi.

Kurse, artistja tjetër Elvira Shyti-Kasapolli ka thënë se ideja për realizimin e kësaj eskpozite ka ardhur krejt natyrshëm, dhe si e tillë ka filluar të realizohet edhe me hapa konkret.

“Ideja për hapjen e ekspozitës së përbashkët me Qëndresën ka lindur nga një takim krejt i rastësishëm. Kemi parë që i kemi mendimet e përbashkëta, punën e njëjtë dhe fakti që shkojmë shumë mirë njëra me tjetrën. Ideja për ekspozitë ka ardhur në shtator, prej aty kemi filluar që t’i realizojmë idetë tona që i kemi pasur, të cilat na janë kombinuar me njëra tjetrën edhe pse xhubleta është krejtësisht diçka tjetër në krahasim me çilimin, mirëpo që ndërlidhen me njëra-tjetrën sepse të dyjat vijnë nga një periudhë e njejtë”, ka përfunduar artistja.

Ekspozita “Trashëgimia në ngjyrë” do të qëndrojë e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery. Të gjithë adhuruesit e artit mund ta vizitojnë nga afër dhe t’i blejnë ato./ KultPlus.com

Të ngjajshme