10 Gusht, 2018 - 6:51 pm
Në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Muzeu i Kosovës ka hapur sot ekspozitën fotografike “Unë jam Shqiptar” në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.
Ekspozita e cila për tematikë ka emigrimin e shqiptarëve, përfshin materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj. Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar. Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë. Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë. Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre.
Në hapje të ekspozitës ka marrë pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili e vlerësoi ekspozitën si një sjellje para nesh të një kujtese të vuajtjes dhe historisë së dhimbshme që ka përjetuar populli shqiptar nëpër periudha të ndryshme të historisë.
Ministri Gashi tha se “Si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vijimësi jam duke e ndjekur ecurinë e zbatimit të aktiviteteve që rrjedhin si obligim nga Protokolli i Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor që kemi nënshkruar në muajin qershor dhe sot dua të rikonfirmoj përsëri këtë mbështetjen time në këtë drejtim por edhe të falënderoj institucionet e të dy vendeve tona për angazhimin e treguar në këtë proces.
Ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, që hapet sot në Muzeun e Kosovës trajton një përmbajtje kuptimplote dhe të njëjtë si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, siç është diaspora shqiptare. Ekspozita të tilla, janë dëshmi e një hapësirë shumë të madhe që ekziston për të thelluar bashkëpunimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen“, ka thënë ministri Gashi, duke shtuar se ky aktiviteti i cili po organizohet në kuadër të Kalendarit tregon se bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë në fushën e kulturës është në drejtimin e duhur dhe ky bashkëpunim do të avancohet edhe më tutje./KultPlus.com