16 Janar, 2022 - 5:47 pm
Flonja Haxhaj
Hapësirat e KultPlus Caffe Gallery morën ngjyrë tjetër mbrëmë me hapjen e ekspozitës ‘Vena vaditëse’ të artistit Sadri Morina, përcjell KultPlus.
Veprat në të cilat ngjyrat janë kombinuar me përpikmëri, kishin një detaj që i bashkonte, e ai është elementi i galaktikës, të ciliin Morina e ka përvetësur në stilin e tij.
E vlerën që ka pas vetes arti që e krijon artisti Morina u dëshmua edhe nga pjesëmarrja e madhe e njerëzve që prisnin me padurim që ekspozita të fillonte dhe të shkrepnin fotografi me pikturat që ishin rënditur me kujdes nëpër mure nga artisti.
E hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në ekspozitën e parë për këtë vit në këtë ambient.
“Kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të projekteve që janë të mbështetura prej Ministrisë së Kulturës, projekt në kuadër të KultPlus Caffe Gallery. Kemi vendosur me e realizu një llojllojshmëri të përzgjedhjeve dhe kemi filluar me Sadriun e do të vazhdojmë me projekte të tjera në mbështetje të artistëve të rinj” – u shpreh Pajaziti.
Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe drejtoresha e Akademisë Evolucion ku Morina kishte filluar studimet para 13 viteve.
“Sadriun e njoha para 13 vitesh kur ai ka filluar si student për pikturë, dhe ai është dalluar qysh në fillim sikurse të gjithë piktorët me stilin e vetë, por unë e kam ndjekur atë edhe në vitet në vazhdim dhe më pëlqen një gjë tek ai, që është shumë kërkues. E ka pasur një pjesë të jetës që ka punuar kitarat, violinat dhe brenda gjeje jo vetëm ngjyra por edhe muzikën që dilte nga ato piktura sikurse edhe ngjyrat që i kemi sot në këtë ekspozitë që shpërthejnë sikurse galaksitë.” – thotë Shatri në hapjen e kësaj ekspozite.
Në mesin e pjesëmarrësve që kishin ardhur për ta parë artin e Sadri Morinës ishte edhe kritiku i artit, Ilir Muharremi.
“Një ekspozitë shumë e veçantë, veçanërisht pse autori shpreh atë botën e tij të brendshme, atë ta quaj ‘rrëmujë mendimesh’ ku ka një lëvizje të rregullt të formave, ka ritëm, kompozicionet janë të rregullta, pra është një temë ndërmjet galaktikës, ndërmjet planeteve, një ylber ngjyrash ku dominojnë ngjyrat e ngrohta, poashtu edhe ngjyrat e ftohta. Ky art mund të veçohet më shumë i art surrealist sa i përket trajtimit të formave dhe trajtimit të idesë. Mesazhet, secili artist i ka ato mesazet e veta herë enigmatike e herë konkrete, por sido që të jetë e veçanta e këtij arti është provokimi, kur ti rrëmbehehs dhe futesh, lundron brenda këtij oqeani ose këtyre ngjyrave.” – thotë Muharremi për KultPlus.
I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe piktori i njohur, Agron Mulliqi i cili e vlerësoi lart artin që ka shpalosur artisti në këtë përmbledhje pikturash.
“Sadri Morina është një djalë shumë punëtor edhe nuk është tërhjekur asnjëherë nga arti, madhështia e artit është vazhdimësia prandaj më vjen mirë që e ka hapur këtë ekspozitë. Ajo që më ka pëlqyer më së shumti është tema që e ka marrë, ajo e galaktikës dhe të cilën ai e ka adaptuar në teknikën e vetë” – thotë piktori Mulliqi duke i uruar më tutje suksese artistit Morina.
Ndërkaq për KultPlus foli edhe vetë piktori Morina i cili e shpjegon konceptin e kësaj ekspozite ku ka paraqitur pikturat në të cilat ai ka punuar që nga viti 2017.
“Njeriu jeton mes dy universeve, atij që funksionon brenda nesh dhe atij që funksionon jashtë nesh. Duke u munduar ta kuptoj veten time, kam arritur të krijoj imazhe të universit jashtë nesh me kontraste të forta, me thellësi ashtu si vetë jeta ime. Jam munduar ta krijoj një formë të re të artit duke e gershetuar abstrakten me realizmin dhe surrealizmin duke sjellë një abstrakt tre-dimensional.” – thotë Morina i cili tregon se veprat e para nga ky koleksion janë shitur në Paris duke e shtyrë atë që të japë më shumë në një energji të tillë. Kurse veprat e tjera artisti thotë se janë zgjedhur me kujdes për këtë ekspozitë.
Ndërkaq, ekspozita ‘Vena vaditëse’ do të jetë e hapur deri më 29 janar. Pikturat janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit mund ta kontaktojnë artistin për blerjen e tyre./ KultPlus.com