12 Qershor, 2024 - 9:11 pm
Në ditën e çlirimit, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita “Rizgjimi në vlerat kombëtare, Kosova Republikë”, si bashkëpunim i Arkivës Shtetërore të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Të ekspozuara janë materiale që dëshmojnë nisjen e bashkëpunimit kulturor Kosovë – Shqipëri, që nga viti 1970 e deri te demonstratat e vitit 1981.
Bislim Bislimi, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ka thënë se kjo ekspozitë në vetvete përmban procesverbale, raporte, marrëveshje të cilat janë bërë mes viteve ‘70 dhe ‘80 ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“E cila në vetvete përmban materiale të shumta dokumentare, procesverbale, raporte, marrëveshje të cilat janë bërë mes viteve ‘70 dhe ‘80 ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë së kohës, e të cilat në njëfarë forme i kanë parapri ose janë prelude i asaj çka ndodhi në vitin 1981, kur filluan demonstratat gjithpopullore me kërkesën Kosovën Republikë”, ka thënë Bislimi.
“Pikërisht prandaj jemi këtu sot sepse kemi këtë ekspozitë me dokumente arkivore e cila përkon me ngjarjet e vënies së marrëdhënieve kulturore midis shtetit shqiptar të asaj periudhe, pra midis viteve 1970 deri te fillimi I revoltave studentore të vitit 1981”, ka thënë Lorenc Agalliu,drejtor i AV DPASH
Kjo ekspozitë u organizua nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë./rtk/KultPlus.com