31 Janar, 2024 - 2:39 pm
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, duke pasur gjithmonë në vëmendje promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë kulturore kombëtare dhe personaliteteve që i japin dinjitet asaj, hapi sot ekspozitën “Fatos Kongoli në 80-vjetorin e lindjes”.
Si një takim mes miqsh të vjetër, që ndanë me publikun kujtimet dhe vlerësimet për jetën dhe veprën e shkrimtarit të rëndësishëm të letrave shqipe, me pjesëmarrjen e akademikëve, shkrimtarëve, studiuesve, pedagogëve, botuesve, miqve dhe dashamirësve të kulturës, ekspozita shpalosi materiale e libra të ndryshëm të autorit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Amerikane, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. /KultPlus.com