3 Janar, 2019 - 11:10 pm
Nëse mendon se i ftohti, që të bën të të kërcasin dhëmbët, është pjesë e argëtimit kur udhëton, atëherë Festivali ndërkombëtar i Harbinit, i skulpturave të akullit dhe borës, është vendi ku duhet të jeni.
I vendosur në provincën e Heilongjangut në Kinën veriore, ai është festivali më i madh i borës dhe akullit në botë, e përfshin një mori instalacionesh spektakolare dhe aktivitete të panumërta.
Festivali i përvitshëm hapet nga 5 janari e vazhdon deri më 5 shkurt, por disa atraksione hapen për vizitorët që përpara ceremonisë zyrtare, përfshirë dhe më populloren prej të gjithave “Ice and Snow World”, të bërë me blloqe akulli të marrë nga lumi Songhua që ndodhet atje pranë.
Këtë vit “Harbin Ice and Snow World” shtrihet në mbi 600 mijë metra katrorë dhe përfshin qindra monumente. Ai është ndërtuar me më shumë se 110 mijë metra kub akull dhe 120 mijë metra kub borë.
Festivali feston këtë vit ditëlindjen e tij të 35-të dhe konsiderohet si një nga më kryesorët e dimrit, duke iu bashkuar Festivalit të borës Sapporo në Japoni, karnavaleve të dimrit në Quebeck të Kanadasë dhe Festivalit të skive Holmenkollen në Norvegji.