26 Maj, 2019 - 7:20 pm
Fotografitë mund të dërgohen deri më 31 gusht ndërsa tema e sivjetshme e ekspozitës do të jetë “Not in the Spectacle”, shkruan KultPlus.
“Fotografia është diçka e thjeshtë. Me kusht që të ketë diçka për të thënë” (Mario Giacomelli)– Bazuar mbi këtë koncept që Fokus vjen në edicionin e tij të 10-të dhe me këtë frymë vazhdon të ftojë artistët dhe publikun si çdo tetor në qytetin e Fierit. Ndër vite Fokus ka qenë vitrinë dhe shprehi e forcës, kompleksitetit dhe brishtësisë së fotografisë por tashmë ka ardhur momenti për të ndryshuar kursin drejt horizonteve të reja imagjinare. Me bazat e një festivali të mirëfilltë, Fokus Award 2018 kërkon natyrshëm të stimuloje debat, të frymëzoje, të rrisë komunitetin rreth tij por akoma më shumë, synon të krijoje një fluks mendimi rreth autenticitetit dhe guximit në fotografi.
“Fotografia fiton paksa prej dinjitetit qe i mungon, kur ndalon së qëni një riprodhim i realitetit duke na treguar gjëra të cilat nuk egzistojnë më” – thoshte Marcel Proust. E vërtetë apo jo, sot kemi nevojëmë shumë se kurrë pikërisht të hetojmë dhe tregojmë këtë marrëdhënie të dyshimtë mes fotografisë dhe realitetit që na rrethon.
Me temën “Not in the Spectacle”, kjo ekspozitë kërkon të luftojë miopinë kreative krijuar prej homologimit të tejskajshëm kulturor, në ujrat e ndenjura të së ciles pluskon edhe fotografia, sidomos ajo shqiptare. Kjo edhe si rrjedhojë e një proçesi akselerimi të fuqisë masmediatike dhe nënshtrimit të fotografëve ndaj rregullave të lojës, së imponuar tashmë gjërësisht nga globalizimi në fakt i shoqërisë tonë.
Nëpërmjet këtij konkursi, dëshirojmë që fotografët për pak kohë të dalin nga vetvetja ose në të kundërt, të zhytën thellë brenda saj. Për të kërkuar gjurmë të antitrupave që bëjnë të domozdoshëm mbijetesën e kulturës në një skenar apokaliptik, kur duket sikur ironikisht pavarësinë e mendimit dhe veprimit, jemi duke ja trashëguar vetëm inteligjencës artificiale.
Urojmë që për kohën që fotografi do i dedikojë këtij konkursi, të mundohet të hetojë dhe kërkojë gjërat autentike, aty ku ato akoma egzistojnë. Të na sjellë prova të pakundërshtueshme të origjinalit të dikurshem, kopja e së cilës është bërë sot imazh i industrisë apo pushtetit duke na prodhuar iluzionin e “Shoqërisë së evoluar në Spektakël” (Guy Debord). Një ekspozitë jo thjesht “Not Global” por një akt kundër një kolonizimi shpirtëror i cili na kërkon ti largohemi rrënjëve identitare dhe humbasim autonominë intelektuale, duke u kthyer në spektatorë pasivë të humbjes së vlerave. Këtë, në fotografi, për rolin dhe impaktin e saj në këto proçese transformimi, e shohim më së shumti dhe më fuqishëm se kudo gjetkë. I takon fotografit pra të bëjë të tijën të gjitha mjetet e sociologjisë vizuale, duke hulumtuar brenda shoqërisë së konsumit dhe thellë në jetën e përditshme, me forcën e çastësisësë imazhit dhe të imagjinatës.
Ekspozita “Not in the Spectacle” përbën eventin kryesor të festivalit Fokus Award 2019 dhe do të shfaqet si çdo vit për dy javë në Galerinë e Artit në Fier duke filluar nda data 11 tetor 2019.
Janë të ftuar të gjithë për pjesmarrje, pa asnjë kufizim. Mund të dërgoni një deri në tre fotografi me rezolucion të paktën 300dpi për formatin 50x70cm dhe të shoqëruara me informacione rreth konceptit apo shpjegimit të veprës si edhe natyrisht emri dhe mbiemri i autorit, titulli i fotografisë, adresa e plotë dhe kontaktet. Fotografitë pjesëmarrëse nuk duhet të kenë qenë të ekspozuara më parë. Ato do të përzgjidhen dhe vlerësohen nga Bordi Artistik. Juria Ndërkombëtare, e cila do të shpallet mbas përfundimit të afatit të dërgimit të fotografive, do të përzgjedhë foton fituese të “Not in the Spectacle”. Printimi, paspartimi, ekspozimi si dhe katalogu i “Fokus Award 2019” do të merren përsipër nga organizatorët e festivalit. Fotografitë pjesëmarrëse gëzojnë të drejta të plota autoriale. Organizatorët ruajnë të drejtën e përdorimit të fotografive për promovimin e aktiviteteve të festivalit dhe të ekspozimit të tyre kudo por asnjëherë nuk kanë të drejtën e tjetërsimit, shitjes apo përdorimit të tyre jashtë kontekstit të festivalit.
Fotografitë mund ti dërgoni nëpërmjet email-it zyrtar [email protected] ti ngarkoni në seksionin e dedikuar në portalin www.fokusaward.combrenda afatit të përcaktuar që për këtë vit është data 31 gusht 2019.
Çmimin “Fokus Award 2019” ka nje shpërblim monetar prej 1.000 U$D dhe do të jepet gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës. Të tjera çmime janë parashikuar nga organizatorët dhe sponsorët gjatë aktivitetit.
Një darke festive do të mbahet sipas traditës së Fokus në mbrëmjen e datës 11 tetor 2019. Për manifestin, organizatorët, sponsorët dhe për më tepër informacione, vizitoni websitin tonë dhe na ndiqni në rrjetet sociale. Hashtag: #FokusAward2019 / #NotInTheSpectacle./ KultPlus.com