10 Gusht, 2018 - 5:59 pm
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë shpall të hapur konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2018 për artistët e rinj të Kosovës deri në moshën 35 vjeçare.
Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork.
Afati i fundit për aplikim është 10 shtator 2018.
Rezultatet e konkursit do të shpallen më së voni deri më 20 shtator 2018.
Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë të Residency Unlimited (http://residencyunlimited.org/), gjatë periudhës prill/maj 2019, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2019.
Nëse obligimet tjera e pamundësojnë artistin/ en të marrë pjesë në programin rezidencial, gjatë kohës së specifikuar për qëndrim në SHBA, ata duhet të konsiderojnë të aplikojnë në edicionet e tjera.
Artistët që punojnë në fushën e artit bashkëkohor, që përfshijnë punën në pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, instalacion, fotografi, video, mediat e reja dhe art performues inkurajohen të aplikojnë.
Artistët nuk mund të aplikojnë me punë në artet aplikative, dizajn, teatër, vallëzim dhe film artistik.
Procesi i Aplikimit
Aplikimi për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2018 bëhet nëpërmes regjistrimit online, duke e plotësuar Formularin e aplikimit, dhe duke dërguar dokumentacionin e kërkuar nëpërmes Formularit të aplikimit, që gjendet në web faqen e Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë.
E drejta për t’u zgjedhur
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është i krijuar për artistët e rinj deri në moshën 35 vjeçare. Në konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2018, mund të marrin pjesë artistët individual dhe artistët që punojnë në grup, puna e të cilëve i plotëson kriteret e çmimit “Artistët e së nesërmes”. Programi i qëndrimit rezidencial mund të pranojë vetëm një artist për secilin shtet, brenda një viti.
Aplikuesit për çmimin “Artistët e së nesërmes” duhet të kenë qenë aktiv si artist në Kosovë gjatë së paku 3 viteve të fundit, të kenë 3-5 projekte – vepra referencë, dhe të kenë marrë pjesë në ekspozita të organizuara në institucione të artit, si galeri, qendra arti, muze, ose të kenë krijuar punë në hapësira publike.
Artistët që nuk kanë nënshtetësi kosovare duhet të jenë të njohur për kontributin e tyre në zhvillimet në skenën e artit në Kosovë në 3 vitet e fundit, dhe zhvillimi i tyre artistik duhet të ketë lidhje të konsiderueshme me Kosovën.
Artistët emigrantë duhet të jenë pjesë të komunitetit artistik të vendit dhe që kanë ekspozuar rregullisht në Kosovë së paku gjatë 3 viteve të fundit.
Juria ndërkombëtare do të zgjedhë tre finalistët që do të prezantojnë punën e tyre në ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, që do të hapet në muajin tetor 2018.
Finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 do të përzgjidhen në bazë të shqyrtimit të portfolios së tyre artistike, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme dhe potencialit të demonstruar.
Fituesi/ ja e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 do të përzgjidhet në bazë të shqyrtimit të portfolios së tij/ saj artistike, projekteve dhe veprave të artit të ekspozuara në ekspozitën e finalistëve, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme, bashkëbisedimit me jurinë dhe potencialit të demonstruar.
Juria do të shpallë fituesin/ en në mbylljen e ekspozitës të tre finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, që do të mbahet me 5 dhjetor 2018 në Klubin e Boksit në Prishtinë.
Anëtarët e Jurisë të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 janë Charles Esche, Jelena Vesić, Adrian Deva, Erëmirë Krasniqi dhe Renaud Proch.
Çmimi dhe Konteksti Ndërkombëtar
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ, të kenë takime dhe prezantime për një juri ndërkombëtare, mundësi që të marrin pjesë një ekspozitë të përbashkët me finalistët e tjerë në Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndrimi në Residency Unlimited, dhe pas kthimit nga SHBA të kenë ekspozitë personale në Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë.
Qëllimi i çmimit Artistët e së Nesërmes, i organizuar në Kosovë nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, është që të ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësoj vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në një rol qendror në shoqëri.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.
Qëllimi i Kryetarit Havel, organizatorëve dhe themeluesëve të Çmimeve YVAA ishte të shpërblejnë artistët e rinj me një rezidencë artistike në SHBA, dhe për t’i ekspozuar ata në botën jashtë vendeve të tyre dhe për të theksuar rolin e kulturës në demokratizimin e shoqërisë dhe rolin e kulturës në shoqërinë civile. Ata themeluan një garë transparente dhe të hapur vjetore, që vlerësohej nga juritë e pavarura dhe që ndërroheshin, pa nepotizëm dhe favorizim. Ky mision themelues dhe kjo kornizë programore, për të përkrahur artin bashkëkohor, për të njohur dhe shpërblyes ekselencën artistike, për të ngjizur shkëmbimin kulturor dhe për të ndërtuar kapacitetin e institucioneve të pavarura të artit dhe shoqërisë civile, janë edhe udhërrëfyes për Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për organizmin e çmimit “Artistët e së nesërmes”.
Në vitin 2015, Residency Unlimited (RU) u angazhua si organizator i programit YVAA dhe nikoqir i programit rezidencial në Nju Jork. Në shtator të vitit 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë është ftuar për të marrë përsipër organizmin dhe udhëheqjen e çmimit “Artistët e së nesërmes” në Kosovë, duke filluar me edicionin e parë të vitit 2016.
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të rrisë potencialin dhe ndikimin e çmimit “Artistët e së nesërmes” në zhvillimit e gjithmbarshme në artin bashkëkohor, në tërë territorin e Kosovës.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” në Kosovë për herë të parë u organizua në vitin 2002. Në edicionin e parë fitues ishte Tahar Alemdar. Në edicionet me radhë fituesit e çmimit ishin: Jakup Ferri (2003), Kadër Muzaqi (2005), Fitore Isufi-Koja (2006), Fatmir Mustafa (2007); Bekim Glloku (2008), Miranda Thaqi (2009), Loreta Ukshini (2010), Astrit Ismaili (2011), Majlinda Hoxha (2012), Artan Hajrullahu (2013), Doruntina Kastrati (2014), Arbërore Sylaj and Dardan Zhegrova (2016).
Finalistët e çmimit “Artistit e së nesërmës” 2017 ishin: Merton Maloku, Jetullah Sylejman dhe Enesa Xheladini.
Meriton Maloku është fitues i çmimit “Artistit e së nesërmës” 2017.
Mbështetësit kryesor të “Artistëve të së nesërmes” 2018 janë: Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) zyra në Prishtinë. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë. /KultPlus.com