4 Shtator, 2020 - 5:04 pm
Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë ka hapur Konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2020 për artistët e rinj të Kosovës deri në moshën 35 vjeçare.
Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork dhe mbështetët nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork.
Konkursi është hapur me 2 shtator 2020, ndërsa afati i fundit për aplikim është 2 tetor 2020.
Rezultatet e konkursit do të shpallen më së voni deri më 9 tetor 2020.
Artistët që punojnë në fushën e artit bashkëkohor, që përfshijnë punën në pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, instalacion, fotografi, video, mediat e reja dhe art performues inkurajohen të aplikojnë.
Artistët nuk mund të aplikojnë me film artistik apo punë në artet aplikative, dizajn, teatër, vallëzim.
Aplikimi për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2020 bëhet nëpërmes regjistrimit online, duke e plotësuar Formularin e aplikimit, dhe duke dërguar dokumentacionin e kërkuar nëpërmes Formularit të aplikimit, që gjendet në web faqen e Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë.
Anëtarët e Jurisë të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 janë Anne Barlow, drejtore e TATE St Ives, Britani e Madhe, Qëndresë Deda, artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Flaka Haliti, artiste, Adam Kleinman, kurator i pavarur dhe shkrimtar, si dhe kurator rajonal për Amerikën Veriore në Fondacionin Kadist Art, dhe Nebojša Milikić, punëtor kulturor dhe menaxher, hulumtues dhe aktivist që punon në Beograd.
Juria ndërkombëtare do të zgjedhë tre finalistët që do të prezantojnë punën e tyre në ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020, që do të hapet me 6 nëntor 2020 në Klubin e Boksit në Prishtinë.
Finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 do të përzgjedhen në bazë të shqyrtimit të portfolios së tyre artistike, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme dhe potencialit të demonstruar.
Fituesi/ja e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 do të përzgjedhet në bazë të shqyrtimit të portfolios së tij/ saj artistike, projekteve dhe veprave të artit të ekspozuara në ekspozitën e finalistëve, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme, bashkëbisedimit me jurinë dhe potencialit të demonstruar.
Juria do të shpallë fituesin/en me 11 dhjetor 2020, në mbylljen e ekspozitës të finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 që do të mbahet në Klubin e Boksit në Prishtinë.
Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë të Residency Unlimited, gjatë periudhës prill / maj 2021, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2021.
Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Zyra e Kryetarit të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë.
Informatat e plota për çmimin “Artistët e së nesërmes” mund të gjeni në këtë vegëz në web faqen e Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë, dhe faqet e institucionit në rrjetet sociale. / KultPlus.com