23 Janar, 2025 - 11:20 am
Vjollca Duraku
Organizata “Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut”- YIHR mbrëmë në Prishtinë ka hapur Muzeun e Fëmijëve të Luftës përmes ekspozitës “Loja e ndërprerë”, në të cilin prezantohen objekte personale, video-dëshmi dhe ekspozita të kuruara që theksojnë përvojat e fëmijëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.com
Ky muze i cili përmban edhe krijime të artistëve Petrit Halilaj dhe Ervina Halili paraqet ndërprerjen simbolike të fëmijërisë së fëmijëve të Kosovës në vitin 1999, dhe për qëllim ka ruajtjen e kujtimeve të fëmijërisë nga lufta e fundit, duke siguruar që përvoja personale e luftës të mos harrohet.
Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë 1.024 fëmijë, përderisa 109 prej tyre vazhdojnë të figurojnë në listën e personave të zhdukur. Në këtë kontekst lufta nuk ka ndërprerë vetëm jetën e fëmijëve të vrarë, por edhe të fëmijëve të tjerë që kanë mbijetuar duke u shkaktuar përjetime traumatike.
“Loja e ndërprerë” vjen si pasojë e dhjetëra rrëfime të personave që gjatë luftës kanë qenë fëmijë. “Si akt kreativ dhe nevojë zhvillimore loja është kujtim tek i cili individët rikthehen gjithmonë loja mundëson ikjen mendore nga realiteti dhe, në të njejtën kohë triumfon mbi dhunën e luftën, duke ofruar hapësira në të cilat kreativiteti fiton përmbi frikën dhe pasigurinë”, thuhet në konceptin kuratorial të ekspozitës.
Në ceremoninë hapëse, drejtoresha e Muzeut të Fëmijëve të Luftës, Bjeshkë Guri, ka thënë se ekspozita fton në përballje me të vërtetat e luftës dhe me të kaluarën që s’duhet ta lejohet të bëhet e tashme .
“Një ekspozitë që do të ju çoj në ikje, frikë, fshehje, lojë emocione komplekse që vetëm lufta mund t’i sjell. Loja e ndërprerë adreson pikërisht fëmijëritë e ndërprera dhunshëm nga lufta dhe na fton të reflektojmë në mënyrë kritike jo vetëm të kaluarën e Kosovës, por edhe të tashmen në botë. Ky muze është një përpjekje simbolike, që dënon luftën si mjet të dominimit dhe të dhunës strukturore, duke avokuar për drejtësi sociale, dhe paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe kudo në botë”, ka thënë drejtoresha Guri, duke potencuar që “Loja e Ndërprerë” duhet përdorur si një ftesë për të imagjinuar një të ardhme të ndërtuar mbi solidaritet, drejtësi dhe barazi.
“Muzeu i fëmijëve na fton të njohim, të reflektojmë dhe të angazhohemi për të ndërtuar një të ardhme ku çdo fëmijë mund të jetojë një fëmijëri të plotë, të lirë nga dhuna dhe shtypja. Lojën e ndërprerë nga lufta ta përdorim si një ftesë për të imagjinuar të ardhme të reja- të ardhme të ndërtuara mbi solidaritet, drejtësi dhe barazi”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, drejtoresha e organizatës “YIHR”, Marigona Shabiu ka thënë se ekspozita e parë e këtij muzeu e titulluar “Loja e ndërprerë” është dëshmi e fuqisë së kujtesës kolektive.
“Kjo ekspozitë shpalos një rrugëtim të fshehjes, ikjes në kushte ekstreme, përballjes traumatike me humbjen dhe vdekjen, si dhe të situates së krijuar pas përfundimit të luftës. Ky muze është dëshmi e fuqisë së kujtesës kolektive dhe një mundësi për të siguruar që këto histori të dokumentohen, mbahen mend dhe të jenë qendrore në formësimin e politikave të pajtimit”.
Drejtoresha Shabiu më tej ka bërë thirrje që ky muze të jetë një vend ku mësohet jo vetëm për dhimbjen por edhe për forcën e shpresës dhe rezistencës.
“Urojmë gjithashtu që kjo hapësirë alternative për informim të jetë një hapësirë solidariteti dhe të kontribuoj sadopak në rrugëtimin e vështirë e të gjatë të shërimit kolektiv- ne e kuptojmë rëndësinë e pranimit dhe njohjes të së kaluarës me gjithë tmerret dhe traumat e saj, sepse vetëm kështu mund të shërojmë plagët kolektive emocionale që vijnë si pasojë e luftës”, ka thënë drejtoresha Shabiu.
Kurse, artisti i njohur ndërkombëtarisht, Petrit Halilaj, një vepër e të cilit u ekspozua në “Loja e ndërprerë”, u shpreh i lumtur që në Kosovë është hapur një muze i tillë, sipas tij i domosdoshëm për t’i ndarë eksperiencat të cilat i ka përjetuar populli i Kosovës.
“Ishte shumë emocionuese sepse një vizatim që është ne ekspozitë është prej vitit 1999, kur unë isha në kampin e refugjatëve në Shqipëri. Ne si familje i kemi dy vizatime në ekspozitë, pasi edhe Blerina motra ime po ashtu e ka edhe një vizatim. Për ne ka qenë shumë me rëndësi, sepse të shprehurit përmes vizatimit qysh prej vitit ’99 për eksperiencat tona të luftës, ka qenë fillim i një shërimi shpirtëror. Jam shumë i lumtur që Kosova po merr hapa të tillë sepse janë hapa të domosdoshëm që ne të kujtojmë dhe t’i ndajmë këto eksperienca që në fakt na kanë bërë ata që jemi sot”, ka thënë artisti Halilaj.
Ai gjithashtu ka rrëfyer edhe takimin e tij me Sekretarin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara-OKB, Kofi Anann, në kampin e refugjatëve të luftës në Kukës, në maj të vitit 1999, të cilit ishte refuzuar t’ia dhuronte një vizatim të ngjajshëm me atë të ekspozuar në muze.
“Për mua ka qenë shumë me rëndësi për t’i treguar përmes vizatimeve se çfarë kemi përjetuar në Kosovë. Unë si fëmijë kam menduar dhe kam shpresuar që ai vizatim do të ndikonte që të ndalte luftën. Në fakt, aq shumë për mua ka qenë me rëndësi vizatimi saqë kur më ka pyetur Anann nëse mund t’ia jap vizatimin, unë kam refuzuar, kjo pasiqë kur je në luftë humb shtëpinë dhe gjithçka që ka të bëj me jetën tënde. Prandaj, për mua ka qenë aq i rëndësishëm vizatimi saqë kam vendosur mos t’ia jap por ta mbaj për vete”, ka thënë Halilaj i cili në atë kohë kishte qenë 13-të vjeçar.
Ndërkaq, artistja Ervina Halilaj ka thënë se është me rëndësi që Muzeu të ketë mbështetje institucionale pasi sipas saj fëmijët janë një muze i gjallë, dhe se kujtesa e tyre është kujtesa më reale që mund të shihet.
“Muzeu më i gjallë, dhe arkivimi më i gjallë është kujtesa dhe memoria e fëmijëve. Këtë e kam menduar gjithmonë sepse fëmijët çdo gjë e zhvillojnë dhe e përjetojnë përmes lojës. Fëmijëve u duhet një kohë e gjatë për të kaluar në atë pjesën transitore nga loja te përceptimi i realitetit, edhe pse deri në një moshë fëmijët edhe relitetin e përceptojnë si lojë”, ka thënë artistja Halili, e cila në këtë muze ka kontribuar përmes një copëze ditari të viteve 1995-1997.
“Kontrbuti që kam dhënë unë këtu ka qenë një pjesë e ditarit, kryesisht e viteve 95-97. Jam shumë e lumtur që njëra ndër poezitë e mija të para e shkruar në atë ditar është pjesë e Muzeut. Poezia është shkruar në protestat e vitit ‘97 të Universitetit të Prishtinës, ku edhe unë vetë atë realitet në moshën 11- vjeçare e kam kam përceptuar në formë të lojës gjithmonë duke qenë e inspiruar prej filmave vizatimor. Edhe poezia që e kam shkruar unë e sheh realitetin e protestave në formë të reve të bardha që në atë kohë më është dukur shumë surreale, pa e kuptuar ende që ajo lojë është shumë serioze”, ka thënë artistja Ervina Halili. / KultPlus.com