20 Mars, 2018 - 5:49 pm
Të hënën OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare hapi në kryeqytetin serb një ekspozitë rreth luftës së Kosovës që paraqet të dhëna dhe prova gjyqësore nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
Nemanja Stjepanoviç nga dega e FDH-së në Beograd tha në hapjen e ekspozitës se gjykatat serbe deri më tani kanë dhënë dënime për vrasjet e vetëm 61 nga 8,700 viktimave civile shqiptare.
“Kur vjen puna te krimet kundër shqiptarëve, kemi pasur vetëm katër raste deri më tani, dy prej të cilave janë përfunduar,” tha Stjepanoviç duke shtuar se në Serbi nuk po ngrihen padi të reja për krime lufte në Kosovë.
Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i FDH-së në Kosovë, tha se vetëm 30 individë janë dënuar për krime lufte para gjykatave të Kosovës, por vetëm për krime kundër shqiptarëve të tjerë.
“Një numër i madh familjesh viktimash nga komuniteti serb, por edhe shqiptar, nuk kanë parë drejtësi,” tha Blakaj.
Me titull “FDH: Rasti i Kosovës 1998-1999”, ekspozita në Qendrën e Beogradit për Dekontaminimin Kulturor u krijua në bashkëpunim me Qendrën SENSE për Drejtësi Tranzicionale dhe Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën.
Ekspozita e krijuar nga SENSE tregon prova të dokumentuara dhe të dhëna të gjykatës nga ICTY-ja mbi nëntë grupe televizive. E njëjta ekspozitë është vendosur përgjithmonë në një qendër dokumentimi në Prishtinë, Kosovë.
“Prishtina është i vetmi kryeqytet në ish-Jugosllavi që ka një qendër dokumentimi ku krimet e të dyja palëve trajtohen në mënyrë të barabartë,” tha drejtori i SENSE, Mirko Klarin.
Ekspozita u hap me një panel diskutimi mbi gjyqin e ish-zv/kryeministrit jugosllav Nikola Sainoviç dhe lidershipit ushtarak dhe policor të vendit.
Një ish-prokuror në këtë rast, Thomass Hennis, tha se gjetjet e gjykatës “çuan qartë në mbështetjen e supozimit” se ish-presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç ishte i përfshirë në një sipërmarrje të përbashkët kriminale për të dëbuar shqiptarët e Kosovës.
I pyetur për lirimin e parakohshëm të tre të pandehurve nga ajo çështje – gjeneralët Dragoljub Ojdaniç, Vladimir Lazareviç dhe vetë Sainoviçi – Hennis tha se dënimi është shumë më i ashpër në SHBA.
“Më shqetëson fakti që njerëz të dënuar për këto krime serioze duket se janë rikthyer në të njëjtat poste të larta që kishin dikur,” tha Hennis.
Si pjesë e ekspozitës, një panel mbi krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të mbahet të martën, ndërsa një panel mbi krimet e kryera nga forcat ushtarake dhe policore serbe është planifikuar për të mërkurën.
Një intervistë me Saranda Bogujevcin, e cila i mbijetoi një masakre të 14 civilëve shqiptarë – përfshirë edhe familjen e saj – kur ajo ishte një vajzë 13-vjeçare në vitin 1999, do të mbahet të hënën e ardhshme.
Ekspozita do të mbyllet më 28 mars me një shfaqje të “Depth Two”, një film që tregon gjetjen e varreve masive të shqiptarëve të Kosovës në periferi të Beogradit në vitin 1999.
Balkan Insight