8 Prill, 2022 - 1:15 pm
Në Muzeun Arkeologjik të Durrësit u çel ekspozita , “Fatet e shqiptarëve të mbijetuar në Mauthausen”, pjesë e projektit të organizatës DMO Albania në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.
Në hapjen e ekspozitës ishte e pranishme ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi, drejtoresha e DMO Albania, Eva Kushova dhe personalitete të qytetit.
“Ne jemi krenarë teksa kujtojmë të gjithë këta durrsakë dhe shqiptarë, që kanë luftuar e kanë dhënë jetën, për vlera monumentale që sot qëndrojnë në themel të ekzistencës tonë.
Mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata patriotë që bënë rezistencë antifashiste dhe vuajtën e humbën jetën në burgjet dhe kampet e përqendrimit nazist”, tha kryebashkiakja Sako.
Kjo ekspozitë historike i kushtohet qindra shqiptarëve, që u arrestuan nga nazistët gjermanë në vitet 1943 – 1944 dhe u internuan drejt kampeve të përqendrimit.
Midis tyre dhjetëra të rinj durrsakë janë arrestuar e grumbulluar në atë vend që njihet sot si lapidari i Shkozetit më 20 nëntor 1943, dhe prej andej janë internuar në kampet e përqendrimit jugosllave, të tjerët në Mauthausen, Dakau, Bukenvald etj.
Një pjesë e tyre nuk u kthyen kurrë, nuk kanë as varr. Po kështu është realizuar edhe një dokumentar me historitë e 8 të mbijetuarve, 2 prej të cilëve durrsakë. Sakrificat e këtyre të rinjve mbeten një mesazh i fuqishëm për të gjithë brezat që e duan Shqipërinë./ KultPlus.com