23 Prill, 2022 - 1:00 pm
Fondacioni “Ibrahim Kodra” hapi në Durrës një ekspozitë të veçantë me 125 vepra të artistëve italianë, miq e bashkëkohës të piktorit, të cilët kanë dhuruar secili nga një vepër në shenjë respekti për kontributin e mjeshtrit shqiptar me përmasa botërore.
Kjo ekspozitë u çel në kuadër të 104-vjetorit të lindjes së piktorit të shquar Ibrahim Kodra.
Në çeljen e ekspozitës ishte e pranishme edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e cila tha se “Ibrahim Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht dhe të gjithë ne jemi krenarë që një personalitet i tillë është pikërisht nga Durrësi”.
“Ibrahim Kodra është emri i një piktori të madh, që lindi në një vend të vogël si Shqipëria, por që talenti, jeta dhe arti i tij, kapërceu kontinente. I pari shqiptar që përqafoi pikturën bashkëkohore evropiane, për t’u shndërruar në një përfaqësues të denjë të saj. Kodra mbetet një piktor tërësisht shqiptar, me rrënjët e ngulura fort në kujtesën e atdheut të tij të origjinës. Me arritjet e tij në pikturë, Ibrahim Kodra ndikoi që emri i Shqipërisë të kumbonte nëpër botë. Vepra e Kodrës është një shkollë e vërtetë arti, kurse Kodra është piktori i shquar dhe shqiptari i madh”, theksoi Sako.
Në kuadër të 104-vjetorit të lindjes së piktorit të shquar Ibrahim Kodra edhe nxënës të shkollave të mesme të qytetit kanë ekspozuar pikturat e tyre me tematikën “Ibrahim Kodra në sytë tanë”./ atsh/ KultPlus.com