21 Dhjetor, 2017 - 12:24 pm
Në ekspozitën e hapur të mërkurën mbrëma, në Klubin e Boksit u prezantua trashëgimia kulturore e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, e cila u shpalos nëpërmjet kujtesës kolektive e cila përçohej përmes materialeve e mediumeve të ndryshme.
Artefakte të ndryshme si ora të vjetra, vegla pune, veshje nusërie e dekorime shtëpish, të huazuara nga komuniteti ishin vendosur aty për të treguar momente të veçanta të së kaluarës dhe për të shfaqur një mënyrë jetese të përbashkët. Përditshmëria dhe estetika rome vihej në pah më së miri nga pikturat shumëngjyrëshe të Farije dhe Mehmet Bajramit. Përditshmëria e bazuar në situata reale në pikturat e Bajramit ndërlidhej me gratë imagjinare të Farijes në të cilat shpaloset bukur veshja apo çarama shumëngjyrëshe e grave rome.
Në murin e një dhome tjetër ishin vendosur fotografi personale qe flisnin për momente të veçanta, ceremoni të ndryshme dhe ngjarje të rëndësishme për familjen dhe komunitetin.
Përgjatë një muri shtrihej poezia “Si bëhet kënga rome” nga Kujtim Pacaku i cili ishte i pranishëm dhe mbajti fjalim hyrës para publikut ku u shpreh falënderues për kontributin e dhënë ndaj komuniteteve përmes kësaj ekspozite dhe se kjo duhet të vazhdojë tutje sepse siç tha ai “me një lule nuk qel pranvera”. Ekspozita përfundoi me një performancë live nga grupi Gipsy Groove të cilët kënduan këngë të vjetra rome të ndërthurura me forma të reja muzikore.
Kjo ekspozitë erdhi si një epilog i një pune një-vjeçare në mes CHwB Kosova dhe Balkan SunFlowers e cila ndër tjera, gjatë këtij viti arriti të fus trashëgiminë kulturore në kurrikulën ekzistuese të qendrës për mësim-nxënje në Fushë Kosovë, e cila menaxhohet nga BSFK.
E gjithë kjo e mbështetur nga Qeveria Suedeze. “Shoqëritë duhet të punojnë që zhvillimin e përgjithshëm ta vendosin në simbiozë me kulturën, qe kjo e fundit t’i çliroj ata nga tendenca e izolimit, ndarjes, diskriminimit dhe jotolerancës. Gjithëpërfshirja dhe mundësitë barabarta janë rruga e vetme për ta arritur këtë qëllim. Organizata jonë e vendos të drejtën në kulturë si e drejtë fundamentale e njeriut. Kjo e drejtë është pjesë e punës se përditshme, e secilit projekt, e secili anëtar.” u shpreh drejtori ekzekutiv i CHwB Kosova, Sali Shoshi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 22 dhjetor, nga ora 4 deri në ora 7. / KultPlus.com