14 Dhjetor, 2020 - 10:44 am
Ekspozita “Heroes” vjen për publikun me disa prej punëve më të mira të piktorit të njohur Agim Sulaj.
Me një aktivitet të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrës e fitues në konkurse të ndryshme në botë me punët e tij në karikaturë, artisti i njohur vazhdon traditën e tij me ekspozitën e dhjetorit në Shqipëri. Tre vite me parë ekspozita e tij te hotel “Plaza” quhej “Rrënjët”, këtë vit vjen me emrin “Heroes”. Piktori i njohur ka prezantuar 25 tablo në ekspozitën e tij.
Në një reagim piktori thotë se këtë herë ka dhe punë, që i dedikohen situatës së vështirë me pandeminë globale që po kalojmë, por ka dhe piktura të tjera me mbresa të pikturuara, si dhe tablo historike. ““Heroes” një dedikim situatës e vështirësive të krijuara nga covid-19 nëpërmjet një tabloje. Si dhe një zhytje me kujtime, mbresa të pikturuara e tablo historike. Por COVID-19 nuk e ndalon krijimtarinë”, thotë piktori i cili hapi ekspozitën e tij në datë 11 dhjetor për publikun, që mund të shikojnë punët e tij duke respektuar rregullat që janë vënë për shkak të pandemisë. Ekspozita “Heroes” është prezantimi i radhës së piktorit Agim Sulaj me publikun artdashës shqiptar. Sipas tij janë 25 punime, që përcjellin edhe mesazhe paqeje. “Nuk mund ta ndërprisja traditën e bukur të krijuar tashmë këto katër vjet me publikun e miqtë artdashës të Shqipërisë. Jeta e arti duhet eci e të prezantohet”, thotë piktori i njohur Agim Sulaj, për aktivitetin e tij me pikturën gjatë këtij viti mjaft të vështirë për shkak të pandemisë globale.
Ekspozita deri në shkurt 2021
Piktori për shkak të situatës me pandeminë nuk ka mundur të jetë vetë në Tiranë. Por punët e ekspozitës i ka dërguar dhe tashmë janë prezantuar në Tiranë. Piktori Agim Sulaj thotë se ekspozita do të qëndrojë deri nga mesi të muajit shkurt të vitit që vjen. Por dhe pse një vit i vështirë, piktori Agim Sulaj ka vijuar të jetë pjesëmarrës në konkurse të ndryshme, sipas tij duke marrë dhe vlerësime të reja. “Ky vit dhe pse shumë me vështirësi nuk e ka frenuar aktivitet in tim. Jam i kënaqur, që jetës sime artistike i kam dhënë emocione , çmime e vlerësime të reja”, thotë ai. Këtë herë në këtë ekspozitë të hapur në Tiranë, piktori thotë se përgjithësisht janë punime të reja në 25 tablotë e prezantuara. “Është një variant i ti i tablosë historike me kokën e Ali Pashë Tepelenës te Sulltani, që ndodhet në Janinë në Muzeun e Aliut, me përmasa të mëdha. Kisha dëshirë ta bëja të madhe”, tregon ai. Gjatë një viti më parë piktori shqiptar me famë ndërkombëtare Agim Sulaj mori pjesë në konkurse të ndryshme në botë, ku është vlerësuar me çmime, por shprehej se për ekspozitën në Tiranë në muajin e fundit të vitit në dhjetor kishte kohë që e kishte menduar.
Agim Sulaj piktor e karikaturist shqiptar, 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni” e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, etj. Agim Sulaj mes vlerësimeve që ka marrë ka fituar edhe “Grand Prix Aydin Dogan Stamboll”. I cilësuar si çmim “Oscar” për karikaturën, ky vlerësim vjen për artistin e njohur shqiptar në vijim të aktivitetit të tij. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin 583 artistë nga 63 vende të botës dhe 2750 punime të seleksionuara. /dp/ KultPlus.com