28 Shtator, 2024 - 6:15 pm
Era Berisha
Fotografitë e vendosura në dy muret në ngjyrë të pembe, dukej sikur po tregonin diçka të jashtëzakonshme, diçka të rrallë por të shenjtë që dhuronte ndjenjën se është ruajtur për vite të tëra. Këto fotografi kaplonin vëmendjen e secilit që ishte prezent dhe zgjonin kureshtje të mëtutjeshme për të kuptuar artin madhështor prapa tyre. Krejt kjo atmosferë u krijua nëpërmjet pendës së syve të fotografit të njohur, Fahredin Spahija, i cili mbrëmë u prezantua me ekspozitën personale “Shpirti Dervish” në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Brenda një hapësire të ngrohtë, të pranishmit ishin të mbushur me entuziazëm dhe kjo dukshëm vërehej në fytyrat e tyre. Gjithsej 27 fotografi kanë përmbledhur punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që në këtë ekspozitë vijnë nëpërmjet portreteve. “Shpirti Dervish” ka plasaritur përpara publikut një pjesë të traditës që për një pjesë të madhe të njerëzve ka një kuptim më hyjnor se vetë hyjnorja.
Një gjendje paqe shfaqej në secilën fotografi, të cilat ishin të krijuara në ngjyrë bardhë e zi, asisoj që kontrasti të bënte që të përhumbeshe nëpër shkrepjet e bukura të fotografit Spahija. Fytyrat e dervishëve, ritualet e tyre, dhe vallja e famshme rrotulluese, ishin të shkrira plotësisht nën petkun e aparatit të fotografit Spahija. “Për mua, këto rituale, përtej religjionit, kanë kuptimin e një kulture mbi 600 vjeçare që begaton trashëgiminë tonë kulturore gjithandej hapësirave gjeografike shqiptare”, pati thënë fotografi Spahija, kur edhe bëri paralajmërimin për këtë ekspozitë.
Ora shënoi 19:00, dhe tashmë hapja e ekspozitës gjeti vendin e saj. Mbledhur grumbull, përpara neve, të pranishëm ishin fotografi, Fahredin Spahija, kuratori i ekspozitës, Fahredin Shehu dhe drejtoresha e gazetës online për kulturë dhe art KultPlus, Ardianë Pajaziti.
Fillimisht, hapjen e bëri drejtoresha Pajaziti, e cila tha se shpirti dervish është ai që në këtë mbrëmje i ka bërë së bashku të gjithë.
“Faleminderit që keni ardhur sonte dhe që na i keni nderuar të dy artistët si dhe KultPlus Caffe Gallery-në. Në këtë mbrëmje, shpirti dervish na ka bërë bashkë, duke sjellë kështu frymën artistike të fotografit të njohur, Fahredin Spahija. Më herët më pyeti dikush për ndjesinë që më dha kjo ekspozitë, dhe i thashë që punën e Fahredinit e njoh mjaftueshëm, duke qenë edhe gazetare shumëvjeçare e kulturës. Për neve ndoshta mundet me qenë një ekspozitë domosdo, mirëpo kjo është një punë kolosale njëzetvjeçare dhe duke i përzgjedhur vetëm 27 fotografi, tregohet mundi dhe përkushtimi i Fahredinit për këtë ekspozitë”, ka thënë Pajaziti.
Fahredin Shehu, kuratori i ekspozitës ka thënë se fotografitë prezantojnë një rezonancë historike që ndërthuret me estetikën bashkëkohore.
“Është një punë që po kurorëzohet tanimë, pas njëzet vitesh. Kjo traditë e shfaqur është një traditë para-religjioze, është në gjenetikun e njeriut dhe mund te kultivohet si shpirtni dhe si art i cili mëton ta unifikojë njeriun me universin. Fahredin Spahija na e prezanton këtë neve duke krijuar një rezonancë historike me estetikën bashkëkohore dhe neve na tërheq në brendësi që ta kujtojmë shpirtin sofist të mirëfilltë. Nuk ka qenë e lehtë që për vite me radhë, t’i përmbledhësh të gjitha këto. E lexushmja, e pamuna, është diçka tjetër nga përjetimi sepse përjetimi është ai që krijon emocion”, thotë ai.
Po ashtu, fotografi Fahredin Spahija është shprehur i kënaqur me punën e tij, që për të është tejet e veçantë.
“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur sonte dhe keni nda kohën për të parë këtë ekspozitë. Është një punë disavjeçare, një tematikë shumë e veçantë për mua, natyrisht kjo nuk përfundon këtu, sepse në këtë bashkësi të dervishëve, ka akoma shumë për të eksploruar në aspektin artistik. Kam diçka që muj me qu përtej relaes, kah abstraktja por planet do i lëmë për më vonë. Më duhet ti falënderoj ata që s’janë këtu si MKRS-në dhe Drejtorinë e Kulturës, edhe pse janë të dy palët mbështetës financiarë”, përfundon Spahija.
Pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, mbrëmja vazhdoi me performancën e këngëtarit Petrit Çarkaxhiut, sikurse që edhe u lexuan poezi të poetit të famshëm Rumi, që në këtë mbrëmje erdhën nëpërmjet aktorit Nik Istrefi.
Një poezi, pastaj një këngë, ishte rrjedha që gjeti vazhdimin në këtë natë të mbushur me një magji të bukur në ajër, që hipnotizoi gjithsecilin, duke bërë që ata të përjetonin të bukurën e artit pamor, këndimit dhe artit poetik.
“Poetika e fotografisë artistike e Fahredin Spahisë, ndërshtresohet nga talenti, mjeshtëria dhe puna e përsosmërisë së zanatit që elevohet në art, ndërkaq arti transhendohet në Teurgji. Kjo krijon një arkitekturë eterike (të dukshme gjithsesi si një hologram në Qiell dhe matrix-in si foto-print në Tokë), e cila ngritet në nivele më të larta të krijimtarisë artistike. Prandaj, kjo është në përputhje të plotë me atë që kam shkruar më herët: “Poezia është dhunti e Krijuesit dhe vjen nga mëshira e Tij”. Fahredin Spahija, me ndërveprim, në plotësi krijon (Quantum Entanglement – implikim/ngatërrim shpirtëror apo kuantik, krejt një lloj), të artit të tij fotografik me një njohje/realizim timin për Poezinë e epokës sonë dhe më tej, e cila për t’u kuptuar duhet domosdoshmërisht të posedojë dije polymath-ike, respektivisht ato blloqe ndërtuese të një filozofie sintetike”, ka qenë mbishkrimi për këtë ekspozitë, dhe me të vërtetë që fotografi Spahija, me këto fotografi unike, plotë ndjenjë e gjallëri, ka bërë të mundur që publiku t’i shijojë veprat artistike që dëshmojnë për një dhunti, mund dhe përqendrim të paparë.
Ekspozita “Shpirti Dervish”do të rri e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery. Projekti është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com