21 Gusht, 2024 - 1:25 pm
Është hapë thirrja për çmimin Artistët e së Nesërmes 2024, dhe se për këtë çmim ftohen artistët që të aplikojnë deri më 20 shtator.
KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të organizatorëve:
Artistët që punojnë në artin bashkëkohor, duke përfshirë mediat eksperimentale, video, instalacion, performancë, fotografi, pikturë, skulpturë, grafikë dhe vizatim inkurajohen të aplikojnë. Artistët nuk kanë të drejtë të aplikojnë me punë në artet aplikative, si dizajni, teatri, vallëzimi dhe filmi.
Tre finalistët e përzgjedhur për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024 do të shpallen jo më vonë se data 27 shtator 2024.
Ekspozita e tre finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të hapet më 1 nëntor 2024.
Fituesi i Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të shpallet më 7 dhjetor 2024.
Fituesi do të shpërblehet me rezidencë artistike dy mujore në Nju Jork, SHBA, në Residency Unlimited (http://residencyunlimited.org/) në maj/qershor 2025 dhe do t’i ofrohet realizimi i një ekspozite personale në kuadër të programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në 2026/2027.
Nëse angazhime të tjera e pengojnë artistin të marrë pjesë në rezidencën në Nju Jork brenda kornizës kohore të parashikuar, ai/ajo/ata duhet të konsiderojë aplikimin për çmimin në edicionet e ardhshme.
Procesi i aplikimit
Aplikimi për Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 bëhet online, përmes plotësimit të formularit të aplikimit dhe dërgimit të dokumentacionit të kërkuar përmes formularit të aplikimit në ueb faqen e Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.
Procesi i përzgjedhjes
Tre finalistët dhe fituesi i Çmimit Artistët e së nesërmes do të përzgjidhen nga juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, e nominuar nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.
Anëtarë të Jurisë së Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 janë Julieta Aranda, Miljana Dunđerin, Vjollca Krasniqi, Alper Turan and Lulzim Zeqiri./ KultPlus.com