8 Korrik, 2019 - 6:00 pm
Festivali i cili hulumton hapësirat publike këtë vit do t’i kthejë ato në një fushë-lojë. Me temën “Hapu dhe luaj!” edicioni i pestë fton për të eksploruar dhe zbuluar vetveten, por edhe shoqërinë. “HAPU” për tetë ditë do të mbushë rrugët e kryeqytetit me performanca e aktivitete kulturore. Shtatë lokacione të ndryshme do të shndërrohen në hapësira për krijime artistike.
Mirëpo këtë vit përveç në kryeqytet, “HAPU” po e zgjeron fushë-lojën edhe në Fushë-Kosovë. Rruga “Dardania” dhe Stacioni i trenave në Fushë-Kosovë do të jenë dy lokacionet e reja të Festivalit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në anën tjetër, teatri “Oda”, “Shtatëmbëdhjetë”, dhe hapësirat si “NEWBORN” sheshet “Nënë Tereza”, “Skënderbeu”, “Zahir Pajaziti” e “Adem Jashari” do te jenë vendet të cilat do të shfrytëzohen këtë vit nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë. “Hapu” fillon në ditën e 11-të të këtij muaji.
“HAPU dhe luaj me ne, me artistët, me bashkëqytetarët”, është thirrja e sivjetshme e Festivalit. Kjo thirrje, sipas drejtorit artistik të Festivalit, Florent Mehmeti, nuk është vetëm për t’u argëtuar, mirëpo për të treguar se të luash nuk është luks.