8 Shtator, 2020 - 3:32 pm
Festivali i Artit në Hapësirë Publike, ‘Hapu’, këtë vit ka ftuar publikun që të takohen kohë pas kohe me artistët, me bashkëqytetarët, me hapësirën e hapur e me qytetin e lagjen, shkruan KultPlus.
Në një postim në Facebook të bërë nga ana e Drejtor Artistik, Florent Mehmeteti tregohet se në pamundësi të hapjes me publikun si po fillohet një proces i shtrirë në kohë dhe në hapësire, që bënë identifikimin e pikave neurologjike të hapësirës sonë të përbashkët.
Në një intervistë për KutlPlus, Mehmeti ka thënë se Hapudemia është një seri intervenimesh artistike në hapësirë publike, përfshi edhe hapësirën digjitale do të zgjasë për një kohë të pacaktuar gjatë muajve në vijim dhe në vende e mënyra të ndryshme.
“HAPUDEMIA, siç është titulluar këtë vit një seri e intervenimesh artistike në hapësirë publike, përfshi edhe hapësirën digjitale do të zgjasë për një kohë të pacaktuar gjatë muajve në vijim dhe në vende e mënyra të ndryshme. Ky koncept parasheh intervenime artistike të kohëpaskohshme duke shfrytëzuar kreativisht mundësitë në dispozicion dhe duke respektuar masat pandemike”, ka deklaruar ai.
Si pasojë e pandemisë ai ka thënë se këtë vit nuk do të ketë një festival në kuptimin e organizimit të thirrjes së publikut për grumbullim, por do të ketë intervenime artistike që mundësohen duke ruajtur sigurinë dhe shëndetin e artistëve dhe audiencës.
“Me fjalë tjera, këtë vit nuk do të ketë Festival në kuptimin e organizimit të thirrjes së publikut për grumbullim, por do të ketë intervenime artistike që mundësohen duke ruajtur sigurinë dhe shëndetin e artistëve dhe audiencës”, ka vazhduar tutje drejtori artistik i Hapu.
Gjithashtu Mehmeti ka shtuar se intervenimet artistike do të publikohen njëra pas tjetrës pak kohë para se të ndodhin me qëllim që tu përshtaten rrethanave të cilat ndërrojnë shumë shpesh në këtë kohë si ato të masave qeveritare, ashtu edhe ato të mundësimit të udhëtimit dhe organizimit.
Intervenimet do të bëhen me partnerët ndërkombëtar të organizatorëve në kuadër të IN SITU, Platformës Evropiane për Krijime Artistike në Hapësirë publike, me artistë vendorë e ndërkombëtarë duke përdorur edhe mjetet digjitale në kombinim me hapësirën publike, siç është rasti i përdorimit të radios FM për të interpretuar poezi ku shikuesit mund t’i shijojnë në veturat e tyre përmes radios, apo krijimi i eksperiencave artistike auditive ku publiku mund t’i shijojë në mënyrë të pavarur kurdo që dëshiron duke ecur në qytet duke përdorur telefonin e mençur dhe kufjet./ KultPlus.com