11 Tetor, 2017 - 7:25 pm
Kolektivi artistik HAVEIT nga Prishtina do të jenë pjesë e një ekspozite në Rjekë të Kroacisë.
Videoja “Shaving Patriarchy”, apo “Tu e rrujt patriarkalitetin”, e cila është realizuar nga HAVEIT në Prishtinë – para shtatores së Skënderbeut, do të jetë pjesë e ekspozitës “ From the Citizens to Their City”, organizuar nga SMOQUA – i pari festival feminist dhe i dedikuar për komunitetin LGBT në Rjekë.
Me datë 13 tetor, “Shaving Patriarchy” do të shfaqet në kafe bar Dnevni boravak, shkruan KultPlus.
Performanca “Sahving Patriarchy” u realizua në nëntor të vitit të kaluar, për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Videoja dhe performanca u realizuan si revoltë ndaj shprehjes publike të sjelljeve patriarkale. Duke e lidhur mjekrën e burrave me nderin, besnikërinë dhe fuqinë, njerëzit besojnë se sa më shumë e gjatë mjekra, aq më i mirë një person, një burrë.
HAVEIT kësisoj po e hiqnin mjekrën, por edhe po e rruanin patriarkalitetin. HAVEIT përbëhet nga Hana Qena, Vesa Qena, Alketa Sylaj dhe Lola Sylaj.
Një ditë para këtyre artisteve, Anna Hoffner do ta hapë ekspozitën “Exhausted Time: Drag in Times of War”. / KultPlus.com