5 Tetor, 2018 - 9:45 pm
“Haveit”, një kolektiv artistiko-feminist nga Kosova solli dje një performancë dhe instalacion mbi një temë të veçantë, atë të “mallkimeve”.
Të gjithë jemi familjarë me mallkimet e përdorura nga prindërit drejt fëmijëve si një mjet disiplinor, por ishin vajzat e kolektivit që sollën dje një vështrim kritik ndikimit që ka kjo mënyrë “edukimi” mbi formëzimin e raporteve sociale midis individëve deri në manifestimin e patriarkalizmit në shoqëri.
Performanca e kombinuara me instalacion u realizua pranë ambienteve të Bazament, një hapësire alternative në Tiranë. Katër vajzat ishin veshur me fustan të hollë e të bardhë, ku secila mbante një fshesë me korent si për të sjellë një simulacion të ambienteve shtëpiake ku kjo gjuhë agresive kthehet në përditshmërinë e jetës familjare.
Pranë tyre ishte vendosur instalacioni me shkronjat lëvizëse ku lexoheshin disa prej mallkimeve. Nën titullin “Kafsha e Keqe / Wild Beast”, vajzat sollën një përqasje epistemologjike ndaj fenomenit të mallkimeve, që formëson psikologjinë e fëmijëve që rriten me këtë gjuhë.
Kolektivi është bërë i njohur si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri për performancat publike ngacmuese dhe shpeshherë të konsideruara kontroverse për publikun. Një ndër to ishte dhe foto-performanca në kuadër të Ditës së Shën Valentinit gjatë 2014, ku shihen dy çiftet e vajzave duke u puthur në buzë para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, si shenjë manifestimi e të drejtave të personave LGBT+ për ta gëzuar këtë ditë sikurse çiftet heteroseksuale. / historia-ime.com/ KultPlus.com