26 Tetor, 2018 - 12:03 pm
Alberina Haxhijaj
Vjeshta e këtij viti për artistin nga Peja, Haxhi Gjoni, do të mbetet gjatë në kujtesë pasi kësisoj ai për herë të parë prezantoi para publikut botën e tij imagjinare dhe kreativitetin e vet si skulptor në hapësirën e Galerisë së Ministrisë së Kulturës në Prishtinë.
Për dhjetë vite skulptori Haxhi Gjoni ka gjetur gurë dhe ka eksploruar nëntokën e Kosovës, në kërkim të gurëve, të cilët siç tregon ai posa i merr në dorë i studion dhe mendon se çfarë forme mund të ju japë pastaj.
“Është një dekadë punë që po shpaloset në këtë natë. Si fillim kam punuar me gurë të trevave tona atëherë më është dhënë mundësi që përmes një familjari, Xhevdet Gjoni, të kem edhe gurë nga pothuajse të gjitha vendet e botës”, tregon ai për KultPlus.
Në mesin e punimeve të tij të ekspozuara kishte medaljone si dhe figura të tilla si “Skënderbeu”, “Koka e Shqiponjës”, “Hyjnesha në fron”, “Koka e Kalit”, “Mikelangjelo”, “Nënë Tereza” e të tjera, figura këto të farkëtuara në gurin afrikan, indian apo të Ballkanit. Pikërisht këto figura përbëjnë edhe pullën postare të trashëgimisë kulturore e historike të kombit shqiptar prandaj edhe ekspozita mban titullin “Pullë postare”.
“Frymëzimi për këta gurë fillon qëkur e marr gurin në formë natyrale, pastaj e shikoj dhe analizoj dhe mendoj se çfarë mundem me kriju prej atij guri. Pra merr kohë për me e gjet se çfarë mund të bëj me atë gurë bazuar në vet faktin që janë natyral dhe ata brenda kanë të krisura, ingluzione, mbeturina kështu që unë duhet ti ndaj ato në mënyrë që ta nxjerri sa më të pastër gurin dhe sa më kualitet”, tregoi daltuesi Haxhi Gjoni për KultPlus.
Në mesin e punimeve të cilat u ekspozuan ishte edhe “Familja e murosur në gur”, një punim i cili shfaqte dhimbjen shqiptare ndër shekuj, atë të humbjes së anëtarëve të familjes por që shkonte përtej dhembjes së shqiptarëve dhe shfaqte një dhembje edhe universale. Punimi ka marrë më shumë se 6 muaj punë, realizuar në një gur nga trevat shqiptare.
“Gurin më ka sjellë një mik, një gurë i një oxhaku të kullës që është djegur në luftë dhe atë gurë të oxhakut që e kanë përdorë nënat tona me e përgatit ushqimin në të. Unë e kam marrë dhe e kam realizuar atë punim i cili i përkushtohet pikërisht këtij vendi”, theksoi ai.
Sipas kuratorit të ekspozitës, Naser Shatrolli, skulptori Gjoni nëpërmjet kësaj sinteze arkeologjike gurësh të kthyer në gjuhë skenike, si relikte të pazakonta artistike, përçon ide, mesazhe, botëkuptime filozofike tek audienca, njëherësh edhe tërheq publikun edhe në thellësitë nënshtresore.
“Nëpërmes kësaj forme shprehëse artisti, përkatësisht daltuesi Haxhi Gjoni, do të shpërfaq bukuri përrallore të paprekur, duke u dhënë rol kuptimor karakteristikave të tyre, prejardhjes së tyre, njëherësh duke i hulumtuar damarët e ngjyrave të tyre dhe si rezultat do të nxjerrë peshën e një metalurgjie të tërë figurash…Daltuesi u qaset punimeve me durimin e filozofit, duke i studiuar plasaritjet e tyre, me idenë për t’i nxjerrë në dritaren e galerisë fshehtësitë magjike që do të bëheshin monedhë kulturore për të nesërmen e tij”, thekson kuratori.
Në ekspozitën “Pullë Postare” e cila do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës janë ekspozuar gjithsej 25 punime përmes të cilave autori shpërfaq kreativitetin e profilit të vet skulpturor, bërë me tehun e daltës. / KultPlus.com