16 Korrik, 2018 - 2:31 pm
“Shkodra Lake” (Liqeni i Shkodrës) quhet ekspozita personale e artistit Helidon Gjergji e cila do hapet më 18 korrik në Muzeun Kombëtar të Artit në Malin e Zi nën kurimin e Ana Ivanovic. Pas ekspozitës “(H)am(m)am”, një vit më parë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Shkup, Gjergji rikthehet në një tjetër hapësirë fqinje për të përcjellë përmes gjuhës së artit pasojat e konflikteve historike ballkanike.
Por këtë herë mjeti i komunikimit është natyra.
Artisti nxjerr nga ekosistemi i qytetit të Shkodrës trupin gjeografik të ujit duke e parë atë si një hapësirë kulturore përmes së cilës bëhet ndërlidhja politike me hapësirat përreth. Një vëzhgim i mprehtë mbi rrezikun bashkëkohor që vjen nga nivelet e mbingarkuara të konsumizmit, si lakmia apo mungesa e respektit për natyrën
Helidon Gjergji (Tiranë, 1970) është një artist bashkëkohor, i cili merret me media të ndryshme vizuale artistike. Ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë. Me hapjen e kufijve të Shqipërisë në vitin 1991, ai u shpërngul në Itali, ku ka studiuar artet vizuale dhe ka marrë diplomë nga Akademia e Arteve të Bukura në Napoli.
Në vitin 1997 ai u transferua në Çikago, ku është përsosur në teorinë dhe praktikën e artit në Universitetin e Çikagos. Aktualisht jeton në Nju Jork dhe ligjëron në Kolegjin SUNY Old Westbury.
Ka marrë pjesë disa herë në Bienalen e Venecias (për arte të bukura dhe arkitekturë) edhe me ekspozita të pavarura edhe në grupe, ka prezantuar punimet e tij në Manifesta, në Bienalen e Tiranës dhe në një numër të madh të ekspozitave vizuale të njohura ndërkombëtarisht.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Venue: Gallery Atelier DADO, Court Piazza Cetinje deri më 5 shtator./ KultPlus.com