3 Gusht, 2017 - 12:30 pm
Nga data 1 gusht, në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë prezantohet projekti (H)am(m)am, me autor artistin multimedial, Helidon Gjergji.
Në Çifte Hamam të Galerisë Kombëtare të Maqedonisë ai shfaqë një projektin (H)am(m)am, i cili është specifik në korelacion me vetë lokacionin. Termi i referohet vendit me analogji të pjesshme drejtuar historisë dhe traditës së hamameve të mrekullueshme të regjionit, të cilat kanë qenë vende socializimi të komuniteteve të ndryshme etnike që kanë jetuar në ato hapësira gjeografike. Hamamet kanë qenë për kohën ndër institucionet më tolerante të shumë kulturave. Këto vende e kanë shpesh iniciuar dhe motivuar komunikimin mes klasave të ndryshme, etnive, feve, madje edhe gjinive. Nga këndvështrimi i sotëm, Çifte Hamami është një vend bashkëkohor i komunikimit kulturor, që do të thotë se e vazhdon rolin e tij primar dhe pikërisht ky funksion kryesor i tij ndër shekuj është pikënisja e idesë së Helidon Gjergjit, shkruan shekulli.
Projekti përbëhet prej tre pjesëve, te cilat janë krijuar pikërisht për hapësirën fizike të Çifte Hamamit.
Në sallën e parë, Gjergji ka realizuar një numër pikturash në kanavacë të cilat përfaqësojnë emotikonë të ndryshëm të komunikimit virtual, e pikërisht ata që përdoren për parashikimin e motit. Këto piktura janë instaluar në hapjet pentagonale të njërës prej kupolave dhe bllokojnë shikimin e drejtpërdrejtë te qiellit, pavarësisht se lejojnë depërtimin e dritës nëpërmes kanavacës.
Salla e dytë konsiston ne një korridor pasqyrash të vendosura përkundrejt njëra-tjetrës, duke krijuar kështu një hapësirë të pafundme. Në këto pasqyra Gjergji ka ngjitur nga 10 erëza kryesore të përdorura përkatësisht për secilën nga pesë komunitetet më të mëdha etnike në Maqedoni (maqedonas, shqiptarë, turq, romë dhe serbë).
Ndërsa sallën e tretë Gjergji e ka mbushur me avull artificial nëpërmjet të cilit penetron drita që vjen lart nga kupola duke krijuar një atmosferë shumë mistike. Gjendja në dhomë bëhet edhe me misterioze si rezultat i një kompozimi muzikor me tinguj celularësh të krijuar në bashkëpunim me muzikantin shqiptar Fatos Qerimaj. Kuratore e projektit është Ana Frangovska, e ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 24 gusht. Helidon Gjergi (i lindur në vitin 1970 në Tiranë, Shqipëri) është artist bashkëkohor, i cili punon në mediume të ndryshme.
Fillimisht është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, e me hapjen e kufijve të Shqipërisë në vitin 1991, u shpërngul në Itali, ku vazhdoi të studionte artet pamore, duke u diplomuar sërish nga Akademia e Arteve të Bukura në Napoli.
Në vitin 1997, ai shpërngulet në Çikago, ku bëri një master për teori dhe praktikë arti në Universitetin e Northuesternit (Northëestern University) në Çikago. Aktualisht jeton në Nju Jork dhe jep mësim në Universitetin e Shtetit të Nju Jorkut (SUNY).
Gjatë karrierës së tij, Helidoni ka punuar në mediume të ndryshme, nga piktura deri tek instalacionet dhe arkitektura. Helidoni në veprat e tij vazhdimisht përpiqet të vendos në pah zbrazëtirat dhe brishtësinë e kufijve mes medieve, vetes dhe parametrave të ndikimit individual./KultPlus.com