29 Nëntor, 2019 - 3:58 pm
Jeta Zymberi
Disa kartolina krejt të veçanta kanë dalë në treg falë punës dhe idesë së Granita Grezda Lila. Heroinat shqiptare me veshje tradicionale dhe me disa detaje të këndshme janë jetësuar në këto kartolina që kanë marrë vëmendje menjëherë pas lansimit të tyre në treg, shkruan KultPlus.
Rreth idesë për krijimin e tyre, Granita ka treguar më shumë për KultPlus. “Ideja më ka ardhë pasi që i kam parë ilustrimet e Kosovare Avdiut, një vajzë shumë e talentuar, andaj edhe e kam kontaktuar për bashkëpunim. I kam treguar rreth idesë time, që dua t’i bëj disa ilustrime të cilat do t’i përdor për kartolina e që këto ilustrime të jenë me gratë heroina shqiptare dhe të kenë elemente të veshjeve kombëtare. Ajo ka punuar pjesën e ilustrimit dhe jam ndarë shumë e kënaqur, duke i dërguar kështu menjëherë për shtyp”, ka treguar Granita e cila ka premtuar që në të ardhmen do të ketë edhe personazhe të tjera të grave që kanë bërë histori.
Sipas Granites, ideja është pritur jashtëzakonisht mirë dhe po ka kërkesa të vazhdueshme. Duke parë interesimin e madh, ajo këto ditë ka hapur edhe atelienë e saj ku do të zhvillojë edhe më tutje veprimtarinë. “Kjo atelie është hapur si rezultat i një procesi të hulumtimit dhe krijimit, me qëllim të zhvillimit tutje të praktikës sime si dhe pasurimit të saj me bashkëpunime të reja”.
“Përgjatë katër muajve, kemi punuar ngushtë me profesionistë të zejeve. Bashkëpunimi jonë ka rezultuar në krijimin e disa punimeve të reja të cilat ndërthurin aftësitë e punëdores me dizajne të reja të cilat do sjellin trashëgiminë e përbashkët kulturore në një formë tjetër. Është kënaqësi e veçantë që të prezantojmë krijimet unike që përfshijnë teknika, materiale dhe forma të ndryshme”, ka thënë tutje ajo.
Atelieja “DHÉ” përveç se do të përdoret si punëtori për krijim të punimeve dhe promovimin e tyre, do të ofrojë mundësi që këto punime të shiten e që rrjedhimisht bashkëpunimi mes profesionistëve të artizanatit të vazhdojë. Ky rrjetëzim do të mundësojë që zejtaria e pasur e Kosovës të gjejë forma alternative të futjes në treg. / KultPlus.com