Historia e Émile Cohlit, karikaturistit të talentuar që konsiderohet si “ati i animacionit”

20 Korrik, 2020 - 7:59 pm

Nga: Bujar Meholli

Ai konsiderohet pionier i animacionit, artisti që hodhi themelet e këtij arti në fillimin e viteve 1900. Ky është Émile Cohl, karikaturisti i talentuar i quajtur “Parisieni i vjetër”, i cili krijoi një seri filmike të animuar për t’u bërë i njohur në kohën e tij dhe shumë kohë më pas. Cohl është autor i filmit të animuar “Fantasmagorie” që cilësohet si i pari në botë i këtij zhanri. Zakonisht filma të këtij lloji kishin minutazh të shkurtër, një minutë e disa sekonda më së shumti.

Cohl lindi në vitin 1857 në Paris në një familje me të mira materiale mesatare. Me t’u dërguar më pas në Ecole Professionelle de Pantin, ai zbuloi talentin për vizatimin. Megjithatë Lufta Franko-Prusiane i ndërroi kahen e jetës. Tutje ai dërgohet në një shkollë më të lirë, në Ecole Turgot. Aty në teatrot e marionetave e gjen veten duke punuar si karikaturist politik.

Viti 1878 do t’i sjell atij mjaft dobi. Cohl e sheh veten asistent të André Gill-it i cili ishte njëri nga karikaturistët më të famshëm francez. Dhe ai do t’i falënderohet tërë jetën mësuesit të tij i cili i dha shumë nga përvoja. Karikaturisti i ri shpejt do të bëj emër dhe do të shfaq talentin e tij. Karikaturat e shumta tërhoqën vëmendjen e publikut, veçanërisht ato politiket, kur ky vizatoi presidentin Patrice MacMahon dhe e talli atë, duke e paraqitur si të verbër.

Ndaj dhe karikaturisti do të gjobitet e do të futet në burg më pas. Ky skandal padyshim që i dha edhe më shumë famë në tërë Francën këtij shpirti të trazuar, këtij njeriu që gradualisht po e perfeksiononte artin e karikaturës. Me t’u ndërruar presidenti MacMahon dhe me ardhjen e presidentit Jules Grévy, censura u hoq dhe kështu u trasua rruga e Cohlit.

https://www.youtube.com/watch?v=bZhe73_ueEE&feature=emb_title

Ai u bë anëtar i respektuar i grupit artistik parisien “Hydropathes” si dhe u bë kryeredaktor i revistës së tyre, e botuar për herë të parë më 28 tetor të vitit 1879. Edhe aspekti financiar ndryshoi. Ai u bë i pasur sepse këto punë tashmë i sillnin të ardhura të mira. Bashkëpunimet e tij vazhduan, mori pjesë nëpër ekspozita që tërhoqën shumë spektatorë. Me grupet që punoi, kryesisht përdorte stil të papërpunuar, infantil.

Vite më vonë, karriera e tij morri hov në Paris. Aty ai nisi karrierën e re si shkrimtar dhe ilustrues duke kontribuuar nëpër shumë revista, veçanërisht në ato komike. Vitet e fundit të tij ishin mjaft të vështira. Pas Luftës së Parë Botërore, i kaloi vitet e fundit në varfëri dhe pothuajse i harruar. Në një mbrëmje mjekra e tij u prek me zjarrin e qiririt të tryezës dhe kështu ai u shtrua në spital.

Në vitin 1938 karikaturisti i madh ndërroi jetë. Trashëgimia artistike që la pas vetes qe e madhe. Ai pati ndikim të gjerë tek shumë artistë të mëvonshëm. Karriera e tij grafike e dendur frymëzoi artistë e animatorë të hershëm si Winsor McCay, John Randolph e të tjerë të cilët ngandonjëherë edhe kopjuan idetë e tij.

Në kujtim të tij, karikaturisti Frick botoi një javë pas vdekjes së Cohlit bëri vizatimin e famshëm në vitin 1938, ku shihen Mickey Muse, Betty Boop dhe Popeye teksa vajtojnë ikjen e krijuesit të filmit “Fantasmagorie”.

Tashmë emrin e tij e mbanë një shesh parisien si dhe çdo vit ndahet çmimi vjetor i animacionit me emrin “Prix Émile-Cohl”. /KultPlus.com

Të ngjajshme