28 Shkurt, 2024 - 9:30 pm
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë solli sot historinë e pabesueshme të Lekë Tasit, piktorit dhe ish-violonçelistit, i cili kaloi 15 vite në një kamp internimi.
Kujtimet e atyre që vuajtën gjatë regjimit komunist në Shqipëri mbeten të gjalla dhe të gatshme për t’u transmetuar brezave të rinj, thekson zyra e BE.
Piktor dhe violonçelist i parë në Teatrin Kombëtar të Operës, Lekë Tasi u detyrua të largohej nga Tirana dhe u dërgua në një kamp internimi në Lushnjë me familjen e tij, më 15 tetor 1975.
Xhaxhai i tij kishte vdekur në burg, i ati 20 muaj pasi u lirua nga burgu politik. Ishte 46 vjeç, jeta e tij artistike ishte ndërprerë dhe ai do të kalonte në një kamp internimi dënimin me 15 vjet, duke punuar si kooperativist deri në vitin 1990, kur u shemb regjimi komunist.
Në një libër me kujtime të botuar vite më parë, ai përshkruan me hollësi jetën e përditshme në një kamp pune, duke dokumentuar punën, shtypjen dhe historitë e një kohe pa liri.
Mbrëmjen e 20 shkurtit 2024, tashmë 95 vjeç, Lekë Tasi mori pjesë në ceremoninë e hapjes së “Ditëve të Kujtesës”, një aktivitet i përvitshëm me fokus trajtimin e së kaluarës komuniste në Shqipëri. I shqetësuar se si do të tregohet historia kur dëshmitarët nuk do të jenë më në jetë, ai mendon se ka mungesë vëmendjeje për botimin e dëshmive, studimeve dhe kujtimeve për periudhën e diktaturës. “Një neglizhencë e pajustifikuar dhe e padrejtë. Ne kemi nevojë për më shumë libra, studime dhe vëmendje”, thotë ai.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato, në fjalën e tij, përshëndeti praninë e Tasi dhe foli me respekt për jetën e tij.
Ai i kujtoi audiencës se e kaluara kontribuon për formësimin e së ardhmes dhe se ballafaqimi me të kaluarën është i nevojshëm për të konsoliduar demokracinë.
“Ndarja e përvojave reale të të mbijetuarve, historive të historianëve dhe studiuesve përmes konferencave, shfaqjeve artistike dhe diskutimeve publike është një pjesë e rëndësishme dhe e fuqishme e procesit. Megjithatë, e vërteta dhe drejtësia janë vendimtare jo vetëm për shërimin shoqëror dhe kohezionin social, por edhe për krijimin e klimës së përgjithshme të drejtësisë dhe llogaridhënies, kaq të rëndësishme për demokracinë. Të mësuarit nga e kaluara na fuqizon për të ndërtuar një shoqëri demokratike më elastike, kaq thelbësore për vendin e Shqipërisë në BE. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi seriozisht me institucionet shqiptare si dhe me shoqërinë civile – dhe shpresoj, një ditë edhe me shkollat – për të trajtuar të kaluarën e vështirë komuniste të Shqipërisë”, tha ambasadori Gonzato.
Me synimin për t’i dhënë zë debatit social, kujtesës dhe pasojave të regjimit komunist në Shqipëri, për nëntë vjet, “Ditët e Kujtesës” (20-26 shkurt), organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë dhe Fondacioni “Konrad Adenauer”, kanë pasur një rol të rëndësishëm në reflektimin e shoqërisë për regjimin komunist.
“Puna jonë përpiqet të forcojë dialogun për të kaluarën përmes shfaqjeve të dokumentarëve, ekspozitave, studimeve, artit, konkursit “Pyet gjyshërit” apo konferencave ndërkombëtare, duke përfshirë grupe të ndryshme të shoqërisë që nga të rinjtë e deri te studiuesit. Këtë vit publikuam gjyqet e mbajtura në të vitet ‘90 kundër 35 zyrtarëve komunistë shqiptarë, duke kontribuar në diskutimin dhe reflektimin për Drejtësinë Tranzitore në kontekstin e Shqipërisë. Ndërkohë, studentët e Klubit të Dramës nga Universiteti i Tiranës, në një performancë artistike frymëzuese, sollën në jetë zërat dikur të heshtur të individëve dhe artistëve të guximshëm që u ngritën kundër diktaturës komuniste në Shqipëri”, shpjegon Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë.
Puna e Lekë Tasit ishte pjesë e performancës së vendosur në një sfond novator ndriçimi dhe zëri, që simbolizonte kërkimin e vazhdueshëm dhe të pandalshëm të shpirtit njerëzor për liri. I mbajtur në Muzeun e Përgjimeve të ish-Sigurimit të Shtetit, vetë Tasi do të dëgjonte me vëmendje studentët e rinj të cilët ju dhanë zë intelektualëve që nuk mundën të mbijetonin gjatë diktaturës, duke shpresuar në qasjen e brezit të ardhshëm ndaj fatit të ish të burgosurve politikë.
Prej vitesh ai ka qenë një zë i rëndësishëm në përballjen me të kaluarën përmes artit të tij, pikturave, vizatimeve, shkrimeve, ekspozitave, intervistave, dëshmive dhe pranisë së tij si një kujtim i gjallë i njerëzve që mbijetuan në kohë të vështira. Ai përfaqëson artistët, të përndjekurit politikë dhe të afërmit e personave të zhdukur, pasi eshtrat e xhaxhait të tij nuk u gjetën kurrë.
“Edhe unë shqiptoj “po”-në e përditshme të nevojës, por mbaj gjallë brenda meje “jo”-në e paepur të rezistencës”, shkruan Tasi në ditarin e tij në vitin 1975, duke cituar një poezi që kishte dëgjuar në radio gjatë kohës që ishte në një kamp pune. Në atë kohë ai do të pyeste veten nëse kishte mbetur ndonjë rezistencë. Pothuajse gjysmë shekulli më vonë veprat e tij të artit janë përgjigjja.
Që nga viti 2017, Bashkimi Evropian po e mbështet Shqipërinë për gjetjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, duke fuqizuar kapacitetet teknike të dosjeve të ish-Sigurimit, prerogativat ndërgjegjësuese, si dhe duke rritur rolin e saj koordinues. Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) ka zbatuar dy projekte për një total prej rreth 1 milion euro kontribute të BE-së. Një projekt i ri me ICMP-në “Mbështetja e drejtësisë tranzitore dhe ballafaqimi me të kaluarën në Shqipëri”, që filloi në shkurt 2024, synon të rrisë angazhimin e institucioneve të shtetit shqiptar për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur si trashëgimi e së kaluarës dhe rritjen e kohezionit social në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com