1 Dhjetor, 2017 - 3:07 pm
Fotografi Kevin Carter ka bërë një nga fotografitë më historike duke kapur pamjen e një vajze të vogël e cila ishte tejet e uritur. Ajo në këtë fotografi paraqitet duke u zvarritur për të arritur deri tek ushqimi dhe jo shumë larg saj ndodhet një shpend grabitqar i cili pret për ta gllabëruar vajzën, përcjellë KultPlus.
Kevin Carter e shkrepi këtë fotografi në Sudanin Jugor në vitin 1993 derisa po mundohej të paraqiste urinë e njerëzve atje, në mënyrë që të shtoj përpjekjet ndërkombëtare në ndalimin e saj. Ai më pas kishte treguar që pas marrjes së fotografisë e kishte larguar shpendin, mirëpo nuk e kishte prekur fëmijën.
Kur fotografia u paraqit për herë të parë në The New York Times, ajo u pasua me shumë reagime që përfshinte urime dhe mllef në drejtim të fotografit Carter, i cili me këtë fotografi fitoi edhe Çmimin Pulitzer, përcjellë KultPlus.
Jo shumë kohë pas marrjes së çmimit, ai kreu vetëvrasje ndërsa la pas një shënim në të cilin thotë se ka një kohë të gjatë që ai po jeton në depresion dhe se ndihet i lodhur nga trauma që kishte përjetuar nga karriera e fotografit i cili kishte kapur pamjet dhe situatat më të tmerrshme./ KultPlus.com