27 Mars, 2021 - 4:58 pm
“Kjo është ajo çfarë një grua me shpirtin e Cezarit mund të arrijë “! Këto fjalë i përkasin Artemisia Gendileski.
Emri i saj mbeti “i fshehur” për shumë vite. Kjo, megjithatë, ka ndryshuar dhe është bërë sinonim i një feminizmi që është përkthyer nga fjalët në vepra. Nga një studente e Caravaggio-së , ajo u bë një piktore e njohur por për të arritur në këtë pikë, Artemisia Gentileski duhej të jetonte ferrin e saj.
Ajo nuk e kaloi ankthin dhe dhimbjen e abuzimit seksual, refuzimit shoqëror dhe poshtërimit duke vrarë përdhunuesin por me penelin e saj. Piktura e famshme me titull “Judith i preu kokën Holofernes” nuk është një pikturë e thjeshtë. Është një britmë që dëgjohet deri në përjetësi.
Historia e Judithit është një histori biblike. Është një histori e Dhjatës së Vjetër që është hequr nga Bibla Hebraike dhe konsiderohet një histori okulte nga protestantët.
Për shumë historianë është një shëmbëlltyrë, një mit. Për të tjerët është një ngjarje historike dhe përkufizohet me Salome Alexandra, e vetmja grua e Judesë (e fundit që nuk përjetoi pushtimin e Judesë). Emri Judith do të thotë “e nderuar” ose “grua e Judesë”. Është emri femër i Judës.
Ndershmëria, pastërtia dhe militantizmi i Judith e shndërruan atë në një simbol feminist. Për shumë kjo është arsyeja kryesore që u përjashtua nga Bibla Hebraike. Sipas traditës, pra, Judith sy patrembur vendosi të ndërhyjë në mënyrë që të shpëtojë izraelitët e tjerë nga pushtuesit asirianë, raporton abcnews.al
Së bashku me shërbëtoren e saj ajo shkon në kampin e gjeneralit armik Holofernes dhe, duke premtuar informacione për izraelitët, fiton besimin e tij.
Një natë, Holofernes e fton në çadrën e tij me qëllim që ta joshi dhe kur ai bie në gjumë, ajo i pret kokën. Pastaj ajo kthehet fitimtare te njerëzit e saj me kokën e Holofernes ndërsa Asirianët, pasi kanë humbur udhëheqësin e tyre largohen dhe Izraeli më në fund arriti të shpëtonte.
Edhe pse shumë shprehin dëshirën për tu martuar me të, Judith zgjedh të mos martohet me askënd dhe i kthehet jetës së saj të përditshme.
Artemisia Gentileschi lindi më 8 korrik 1593 dhe ka hyrë në histori si një nga piktoret më të rëndësishme të racionalizmit.
Piktori i shquar Horace Gentileski, babai i Artemisia, është një bashkëpunëtor i ngushtë dhe besnik i të madhit Michelangelo Merizi da Caravaggio. Artemisia e “pushtoi” ketë shkolle duke sjellë një frymë krejtësisht mashkullore. Ajo studioi pranë babait të saj dhe piktorëve të tjerë të mëdhenj.
Ajo mbeti jetime që kur ishte 12 vjeç, dhe ishte e detyruar të jetonte në një botë mashkullore. Në moshën 18 vjeç, ajo u përdhunua nga Agostino Tassi, bashkëpunëtor dhe mësues i babait të saj.
Piktorja 30-vjeçare, për të shmangur skandalin, premtoi të martohej me të. Sidoqoftë, kjo nuk ndodhi dhe kështu nëntë muaj më vonë, babai i saj e çoi atë në gjyq. Megjithatë, atje, Artemisia u përdhunua përsëri.
Sipas një dokumenti 400-vjeçar që ka të regjistruara procesverbalet e gjyqit, Artemisia ka folur pa hezituar duke përshkruar me detaje sjelljen e neveritshme të mësuesit.
Shumica e dëshmitarëve e përshkruanin piktorin si një njëri paqësor dhe të pasionuar. Por një pjesë tjetër , si një person me karakter të dhunshëm. Disa madje dëshmuan se ai kishte vrarë ish-gruan e tij. Kjo, megjithatë, nuk u provua kurrë.
Dhe papritmas Artemisia u shpall fajtore nga prokurori. Në seancë dëgjimore, dy mamitë u thirrën për të verifikuar para gjykatësve se ajo nuk ishte më e virgjër! Në të njëjtën kohë, ata përdorën dhunë për ta detyruar të fliste nga dhimbja.
Por para gjykatësit, Artemisia e pa përdhunuesin e saj në sy dhe i tha “këto kapëse janë unaza e martesës që më premtove”!
Agostino Tassi u la i lirë pas një seance dëgjimore që zgjati 7 muaj. Ai u shpall i pafajshëm pas ndërhyrjes të Papa Innocent, me të cilin kishte një marrëdhënie shumë të mirë sepse kishte marrë përsipër muralet në pallatin e tij.
Pas përdhunimeve të shumta (dhe nuk po flasim vetëm për ato fizike) Artemisia niset për në Firence. Ajo martohet me një piktor tjetër, Pierantonio Stiatzezi. Ai bënte një jetë të mërzitshme.
Me ndihmën e burrit të saj, ajo ndërton vendin e saj të punës dhe zgjedh asistentët që do të ketë. Shumica dërrmuese e punimeve të saj u referohen figurave biblike të grave që u poshtëruan, u mashtruan, u përdhunuan dhe josheshin nga burrat.
Ishte pikërisht “takimi” i dy grave që do t’i jepte të drejtën për të kërkuar titullin e studentes më të denjë dhe më të mirë të Caravaggio. Piktura biblike “Judith i preu kokën Holofernes” u krijua në Romë rreth vitit 1620, kur artistja ishte larguar nga shtëpia e saj në Firence.
Dhe nëse dikush dëshiron të dijë se çfarë po ndodhte në mendjen e Artemis kur ajo ishte duke pikturuar këtë pikturë, duhet të shihni fytyrat e Judith dhe shërbëtores së saj.
Me shumë gjasë çdokush do të gjejë atë që e frikëson më shumë: mungesën e plotë të çdo emocioni në fytyrat e dy grave, të cilat nuk kanë as më të voglin emocion. Sikur prerja e kokës së Holofernes të ishte e njëjtë sikur të gatuaje darkën./ KultPlus.com