13 Shkurt, 2019 - 10:33 pm
Gili Hoxhaj
“Unë e shkriva pasurinë për arsim, ju po e shkrini arsimin për pasuri”, është pankarta që rri në duart e Hasan Prishtinës, emrin e të cilit e mban Universiteti i Prishtinës, që sot shënoi 49 vjetorin e themelimit. Kjo dhe shumëçka tjetër sot erdhën në një ekspozitë, si reflektim i asaj se çfarë e ka karakterizuar UP-në për gati gjysmë shekulli.
Më 13 shkurt, para 49 vitesh u mbajt kuvendi themelues i UP-s, ndërsa dy ditë pas më 15 shkurt të vitit 1970 u mbajt mbledhja solemne. Kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës. Si reflektim i gjithë historikut të UP-së, Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU) sot organizoi ngjarjen gjithë-ditore “Odisejë: Universiteti i Prishtinës ndër vite”. Në muret e Modelariumit të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, në mënyrë kronologjike ishte shtrirë gjithë rrugëtimi i Universitetit të Prishtinës. Etapat e rëndësishme në të cilat ka kaluar ky universitet, në këtë ekspozitë vinin si përballje me njëra-tjetrën, ndërsa plotësoheshin edhe me shumë hulumtime që tregonin për gjendjen e tanishme në UP, shkruan KultPlus.
Autori i kësaj ekspozite dhe themelues i organizatës ‘Admovere’, Shkëlzen Gashi tregoi kronologjiket shtrirjen e ekspozitës përgjatë viteve, ndërsa theksoi se vitet e 70-a mbeten vitet më interesante të Universitetit të Prishtinës, e që janë përjcellur me një entuziazëm të jashtëzakonshëm të themelimit të universitetit dhe kohën kur nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi me universitetet rajonale dhe universitetet ish-jugosllave. Historia e rektorëve të UP-së fillon me rektorin Dervish Rozhaja, për të cilin Gashi tregoi se ka qenë doktori më i ri në Jugosllavi pasi që kishte doktoruar në moshën 23 vjeçare.
“Kemi menduar që këtë ekspozitë ta fillojmë me vitet e 60-a kur janë themeluar katër fakultetet e para në Prishtinë e që i fundit është Fakulteti i Mjekësisë, me të cilin edhe janë pjekur kushtet për ta themeluar universitet. Kemi vazhduar me vitet e 70-a që janë vitet më interesante të UP-së, për faktin se ka pasur një entuziazëm të jashtëzakonshëm kur është themeluar ky universitet. Ndoshta paraprakisht është mirë me e thanë që ka pasur disa demonstrata në vitin 1968, që përveçse kanë kërkuar kushtetutë, republikë, vetëvendosje, një nga kërkesat e tyre ka qenë edhe “Duam universitet””, tha ndër të tjera Gashi.
Ekspozita tregon se gjatë këtyre viteve, në të gjitha fakultetet e UP-së, u themeluan salla leximi, u sigurua literaturë, u ndërtua menza e studentëve, shërbimi shëndetësor dhe filloi mbështetja e studentëve me kredi e bursa. Të gjeturat e vendosura mes ndanin vitet e 60-a, 70-a e 80-a me ato të viteve të 90-a e tutje, mirëpo ato rrinin si pasqyrë e gjendjes së tanishme. Ato dëshmojnë për një terren jo të mirë infrastrukturor dhe jo vetëm, gati pesë dekada pas përplasja student-infrastrukturë është 1.77 m2 për student, që nuk i përmbush kushtet as për arsim fillor, ndërsa disa fakultete bashkëndajnë të njëjtin objekt, e disa të tjera zhvillojnë mësime në tri ndërtesa të ndryshme.
Nga koha e themelimit të UP-së, ekspozita nxjerrë në pah edhe fjalimin e Rexhai Surroit i cili kishte theksuar se nga ai moment, gjuha shqipe kalon në një dimension tjetër. Surroi, asokohe nënkryetari i Republikës së Kosovës kishte theksuar se gjuha shqipe nuk është më vetëm gjuhë e sharrëxhinjve, e pastruesve të rrugëve, e hajnave por edhe e intelektualëve dhe akademikëve.
“Gjuha shqipe nuk asht ma vetëm gjuhë e sharrëxhinjve, e pastruesve të rrugëve, e hajnave dhe bujqve por gjuhë edhe e qindra mija nxënësve të shkollave fillore e të mesme, të mija e mija studentëve me dheta profesorëve të fakulteteve dhe gjuhë edhe e doktorëve të shkencave, inxhinierëve, mjekëve dhe qytetarëve tjerë akademikë”, kishte thënë ndër të tjera në fjalimin e tij Surroi.
Në ecje përmes pamjeve e të dhënave të ekspozitës, vitet e 80’ të dërgojnë tek fryma e protestave, por para së gjithash tregojnë për një rritje shumëfish më të madhe të studentëve. 7 mijë e 712 studentë, sa ishin nga koha e themelimit, për vetëm një dekadë numri i tyre shkoi në 43 mijë e 321 studentë, prej tyre 31 mijë shqiptarë, rreth 12 mijë serbë dhe 223 shtetas të huaj. Numri i i mësimdhënësve kishte shkuar në 600 mësimdhënës dhe 400 bashkëpunëtorë.
Protestave të vitit 81, u kishte paraprirë një përplasje tabaku në menzë, që pasoi me mjaft shumë kërkesa për kushte më të mira. Në fillim të prillit, së bashku me studentët edhe mijëra punëtorë dhe qytetarë arritën numrin e 40,000 protestuesve. Nga numri i këtyre protestuesve, 9 prej tyre u vranë, u plagosën 55, u lënduan 75 kurse arrestuan rreth 2 mijë prej tyre, e burgun e rëndë e pësuan 1 mijë e 200 demonstrues. Nga viti 1961 e deri në vitin 1989 jashtë UP-së mbetën 18 mësimdhënës. Në mësin e shumë gjërave të tjera, ekspozita dokumenton që kritikat për “plagjiaturë”, fillojnë pikërisht në periudhën e viteve të 80-a. “A i shkruan prof.dr … librat me laps apo me gërshërë”, kishte qenë një nga pyetjet për njërin nga profesorët e filozofisë, i cili përkundër dëshmive se dy librat e tij janë hartuar duke përshkruar librat e autorëve të tjerë, ai shërbeu si profesor në UP deri sa u pensionua.
Të dhënat në mes të ekspozitës, tregojnë se deri tani janë publikuar rreth 16 raste të plagjiaturës dhe vetëm tre prej tyre janë suspenduar nga procesi mësimor, të cilët më pas janë kthyer, e për më tepër shumë prej plagjiatorëve edhe janë avancuar.
Vitet e 90-a, vitet e mbijetesës dhe rezistencës
Në anën tjetër ekspozita vizualizon vitet e 90-a, të cilat autori i ekspozitës Shkëlzen Gashi, i konsideron si vite të mbijetesës dhe të dëbimit prej objekteve universitare nga regjimi serb. Në fillim të vitit akademik 1991-1992, studentët dhe mësimdhënësit shqiptarë u barrikaduan nga shfrytëzimi i objekteve universitare nga policia serbe. Afro 1 mijë mësimdhënës mbeten pa punë. Dyert e objekteve të Universitetit të Prishtinës mbetën të mbyllura për studentët shqiptarët, por ata hapën dyert e 250 shtëpive private, ku zhvillohej mësimi shqip deri më 21 mars 1999.
Një nga grafikat e ekspozitës tregon se kjo periudhë shënoi edhe zvogëlimin e numrit të studentëve shqiptarë pasi që nga 18 mijë studentë në vitin 1991-1992, mbetën vetëm 12 mijë në vitet pasuese pasi që pjesa më e madhe e tyre u larguan për të fituar para për familjet e tyre dhe për të shmangur rekrutimin ushtarak. Ekspozita e sotme solli në fokus edhe protestat e 1 tetorit nga viti 1997, pasi që marrëveshja Rugova- Millosheviq nuk po gjente dritë zbatimi.
Me miratimin e Rezolutës 1244 e Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së, profesorët u kthehen godinave dhe fakulteteve të institucioneve të tjera të Universitetit të Prishtinës.
“Partitë e lidhura me “njerëzit e luftës” e fusin nën kontroll Universitetin e Prishtinës”, kështu përshkruhet gjendja e UP-së në vitet pasuese, dhe nga protestat për lirim të objekteve, studentët në këtë dekadë kalojnë në kërkesa për të ndryshuar gjendjen e rëndë në UP. Kjo pjesë e ekspozitës karakterizohej me punën e rektorëve të këtij universitet dhe mënyrën emërimit të tyre./ KultPlus.com