21 Shkurt, 2019 - 2:00 pm
Gili Hoxhaj
Pasionin shumëvjeçar, Arbërore Riza tanimë e ka shndërruar në profesion. Ajo e ka pasur ëndërr të kamotshme që të merret me prodhimtari, por ëndrra e saj më e madhe ka qenë që në produktet e saj të shkruhet MADE IN KOSOVO. Gjatë studimeve të saj në Britaninë e Madhe dhe në Romë, atje kishte hulumtuar produktet natyrale, mirëpo pa pasur idenë që një ditë vet ajo do t’i prodhojë ato. Riza është themeluese e kompanisë vendore “HUUMë” e cila merret me prodhimin e produkteve të higjienës personale, më saktësisht, të prodhimeve të sapunëve, balsameve për buzë, etj.
Produktet janë 100% natyral dhe janë të punuara me dorë me metodën e procesit të ftoftë, ku shumica e përbërësve janë organikë që importohen nga vendet e Bashkimit Evropian. Në këto produkte është i dallueshëm edhe aspekti artistik, pasi që produktet të cilat shpesh marrin forma të ndryshme që lidhen me produktet e natyrës. Ato edhe të paketuara dhe në ambiente të brendshme, duket sikur po qëndrojnë diku në natyrë.
Arbërore Riza në një intervistë për KultPlus tregoi se fillimisht prodhimin e kishte fokusuar për nevoja të veta dhe të rrethit familjar, duke u zgjeruar tani në zhvillimin e kompanisë.
“Ishte një rrugëtim i gjatë. Gjatë qëndrimit tim ne Britaninë e Madhe, ku edhe kam përfunduar studimet Bachelor e më pas kam vijuar studimet Master ne Romë, gjatë gjithë kohës kam hulumtuar produktet natyrale, edhe pse nuk a kam ditë që një ditë do të jem unë ajo që do t’i prodhoj këto produkte. Fillimisht, fillova me prodhim për nevoja të mia, duke u zgjeruar tek rrethi familjar, e më pastaj edhe te miqtë e mikeshat e mia. Çdo sukses i produkteve fillestare ishte shtytje shtesë për punë të mëtutjeshme. Hulumtimet në libra, internet ishin të pafundme. Më ishte bërë pjesë e jetës. Dhe erdhi momenti, pas shumë e shumë testimeve, të vendosi që të prodhoj për tregun vendor”, tregon Riza për fillimet e saj.
Kompania HUUMë operon që nga muaji korrik 2018 dhe ka arritur që deri tani të sjell 8 lloje të sapunëve, kurse së shpejti do të lansojnë edhe deodorantin 100% natyral. Me një paketim prej druri dhe elemente te natyrës, ato që në dukje tregojnë për produkte tejet natyrale. Arbërore Riza, duke qenë për nga natyra idhtare e tradicionales që gjërat mundohet t’i modifikojë sipas kohës së sotme, ajo këtu kishte gjetur edhe inspirimin për ta emëruar kompaninë e saj. Riza thotë se emërtimi i kompanisë HUUMË lidhet me trashëgiminë dhe mënyrën se si e kanë mbajtur pastërtinë më herët në Kosovë.
“Në kohërat më të vjetra, edhe atëherë e kanë mirëmbajt pastërtinë e trupit me produkte që iu ka ofru natyra. E tek ne në Kosovë këtë gjë e kanë bërë me humë/argjilë e gjelbër. Andaj, kjo ishte ideja fillestare për emërtimin e kompanisë dhe, gjithnjë duke i mbet besnike tradicionales, dhe arsyeja pse në emërtim i kam 2 shkronja të njëjta U (HUUMë) është se kur e shqiptojmë fjalën humë disi e zgjasim këtë shkronjë më shumë gjatë shqiptimit. Pra, emërtimi i kompanisë ka të bëjë me trashëgiminë tonë”, u shpreh tutje Riza.
HUUMë është kompania e parë e llojit të tillë të regjistruar në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë. Riza tregon se produktet e HUUMë-s, përveç që ushqejnë natyrshëm lëkurën tonë, kanë dhënë rezultate të shumta në përfitimet që kanë sjell, ndërsa ajo thekson se këto produkte kanë edhe efekte shëruese.
Arbërore Riza ka një porosi që të blihen sa më shumë produkte natyrale, ndërsa thotë se duhet të hulumtohen gjithnjë përbërësit dhe efekti që mund të kenë tek organizmi.
“Porosia ime është kjo: Bleni produkte natyrale, largojuni produkteve industriale, sepse, ato përmbajnë toksina apo kimikate të cilat në periudha të ndryshme kohore bëjnë që shëndeti i juaj të dobësohet. Nëse jeni idhtare të produkteve natyrale, e keni mundësinë t’i provoni produktet e HUUMë-s, të cilat produkte janë 100% natyrale, ku 85% të tyre janë organike, janë produkte të testuara dermatologjikisht, pa asnjë kimikat, dhe mbi të gjitha prodhim kualitativ dhe vendor”, tha për fund ajo.
HUUMë është prezente me produktet e saja pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës (kryesisht në barnatore dhe dyqane bio/natyrale). Produktet e HUUMë gjenden edhe në Tiranë në dyqanin BioSHop, ndërsa aktualisht janë në fazën e përgatitjes për tregun e Maqedonisë, ndërsa kërkesat nuk kanë munguar as nga tregu i Britanisë së Madhe.
“Pas një kërkese të një dyqani me produkte bio në Londër (Britani të Madhe), së shpejti do të jemi prezent edhe atje”, tregon Arbërore Riza./ KultPlus.com