22 Shkurt, 2020 - 11:31 am
Xhemile Hysenaj
Skulptorja Arjeta Miftari, e cila rrugëtimin e saj artistik po e bën me ‘Hyjneshat’, të cilat i ka shfaqur edhe në shumë vende të tjera në botë, tashmë pritet të hap ekspozitën e saj edhe në Amerikë, shkruan KultPlus
Miftari e cila tashmë në qarqet kulturore po konsiderohet edhe si ‘Ambasadore e kulturës’, do t’i paraqesë Hyjneshat para artdashësve amerikanë, në qytetin e Iowa-s të Amerikës.
Arjeta Miftari tregoi për KultPlus se për të realizuar ëktë ekspozitë i është dashur pothuajse një vit kohë, ku qëllimi nuk është vetëm të paraqesë Kosovën në hapësirat e asaj ekspozite por edhe të prezantojë trashëgiminë kulturore përmes skulpturave në të cilat është bërë nnjë gërshetim i modernes dhe tradicionales.
”Ndjehem shumë e privilegjuar që më është dhënë mundësia të paraqesë Kosovën në një shtet si Amerika”, ka thënë ajo për KultPlus.
Arjeta Miftari hulumton e gërmon për të realizuar sa më mirë Hyjneshat, e për t’i përjetësuar ato para botës së artit.
Ekspozita do të hapet më 27 shkurt të këtij viti dhe pritet të qëndroj e hapur për një javë rresht.
Vlen të përmendet që për herë të fundit Hyjneshat janë paraqitur në Dubai në nëntorin e vitit të kaluar, në kuadër të ‘Vitit të Tolerancës 2019’ në mesin e 35 shteteve të ndryshme të botës. / KultPlus.com