30 Dhjetor, 2023 - 3:00 pm
Era Berisha
Një ngjarje historike për vendin tonë, siç ishte Festivali i Këngës në RTK, së fundmi është shndërruar në krenarinë e gjithsecilit prej nesh. Festivali që zuri vend për tre natë radhazi, ka prezantuar artistë të talentuar shqiptarë që me zhanrin e tyre diversiv kanë pushtuar skenën magjike të festivalit, një skenë kjo që u ndërtua nga duart e arta të dy grave të jashtëzakonshme, skenografeve: Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi. Duke filluar nga ideja, zhvillimi i mëtutjeshëm i procesit, e deri tek realizmi, ato kanë arritur që skenën ta kthejnë në një sfilatë ari, aty ku të gjitha elementet skenografike vezullonin deri në perfeksion, shkruan KultPlus.
Historia e kësaj ngjarjeje fillon në një hapësirë ku vetëm hiri kishte mbetur pas zjarrit që kishte pushtuar sallën e Pallatit të Rinisë shumë vite më parë. Ishte një vend që kishte humbur shpresat, por Shqipja dhe Rudina e morën si një sfidë më vete për të krijuar diçka të paimagjinueshme për shumë kënd, për ta ringjallë shpresën e humbur, e për të dëshmuar se kur bashkohet mundi, pasioni e dashuria për artin, mund të krijohet një “pikturë” e atillë që asnjë sallë në Kosovë, deri më tani as nuk e ka imagjinuar ta ketë.
Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi, patën një vizion qysh në fillim, duke mos e lëkundur atë deri në pikën kulminante, finale, që rezultoi të jetë skena e mrekullueshme e festivalit. Skenografia e tyre kishte detaje të veçanta, ngjyra dhe elemente që përqafojnë trashëgiminë dhe kulturën e vendit tonë. Hapja e festivalit u bë me një punim të veçantë të piktores Shqipe Kamberi, ku paraqitet portreti i një gruaje, dhe kjo hapje u konsiderua si një nga momentet më të bukura të festivalit.
Puna e këtyre dy grave është duartrokitur shumë dhe padyshim që ky fakt i bënë tejet të lumtura të dy skenografet, andaj dhe ne po e sjellim gjithë historinë që qëndron prapa kësaj magjie, për lexuesit tanë.
Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi tashmë janë ndër figurat që me punën e tyre kanë lënë gjurmë në historinë e Kosovës, duke marr për bazë edhe faktin që tashmë janë skenografet e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK, festival që synon nesër të dërgojë fituesin edhe në Eurovizion. Dhe në fakt, pikërisht skenografia ishte pjesa që është komentuar më së shumti, andaj natyrisht që ka pasur edhe reagime e lëvdata të shumta.
Për Shqipen, reagimet pozitive nuk ishin të rastësishme, duke pasur parasysh se suksesi është rezultat i punës dhe eksperiencës së tyre.
“Kam mëse njëzet vjet eksperiencë të krijuar që kur kam filluar punën si skenografe. Me ideimin dhe realizimin e skenografisë së festivalit, kemi filluar që prej muajit shkurt të vitit 2023, duke analizuar me përpikëri, çdo detaj të skenografisë. Fokusin kryesor e përqendruam tek funksionaliteti i skenografisë, por duke e trajtuar dhe anën vizuele me shumë pasion. Reagimi pozitiv që morën nga publiku, na dhuroi kënaqësi, sepse e vlerësoi punën që bëmë”, ka thënë Kamberi.
Ndërsa, për Rudinën, pritshmëritë kanë qenë jo shumë të larta, por që duke pasur parasysh buxhetin, rezultati ka arritur të krijojë jehonë edhe përtej kufijve të Kosovës.
“Ajo që dua të theksoj është se Shqipja dhe unë e adhurojmë profesionin e skenografisë. Kemi guxim e durim të jashtëzakonshëm me çdo sfidë që ballafaqohemi gjatë procesit të punës, sakrifikojmë veten e rrethin, derisa e arrijmë qëllimin që me qenë super të kënaqura me punën që e bëjmë si dhe kemi konsistencë e disiplinë në punë. Janë pikërisht këto tipare që na bëjnë të jemi shumë të sigurta në çdo skenografi që e realizojmë. Në projektin e Festivalit të Këngës, na është dhënë mundësia të punojmë me një buxhet të papërjetuar më herët, për këtë arsye edhe ka rezultuar me jehonë edhe përtej kufijve të Kosovës, duke lënë një impakt pozitiv. Pritshmëritë prej anës tonë rreth suksesit kanë qenë, po t’jem e sinqertë, jo deri në atë masë. Kemi punu me shumë dashni e përkushtim, dhe jemi shumë të lumtura me suksesin që është arrit”, thotë Xhaferi.
Në anën tjetër, për tre mbrëmje të mahnitshme, kemi parë e analizuar edhe figurën e gruas, pra portretin e gruas që na vjen si një simbolikë unike e festivalit, duke shpërfaqur një mesazh të atillë që të bën të mendosh pozicionin e saj në jetët tona. Është pikërisht vepra nga piktorja Shqipe Kamberi, ajo që ka hipnotizuar audiencën me madhështinë prapa ngjyrave e teknikës. Vetë drejtori i Festivalit, Adi Krasta, kishte insistuar që kjo vepër që rastësisht e ka parë në zyrën e Shqipes, të jetë pjesë e skenografisë së festivalit. Pra, aty filloi pikënisja, dhe ai portret, u shndërrua në skenografi, ndërtimi i së cilës konsiderohet sfidë në vete për Shqipen.
“Portreti i gruas është figura qendrore e veprave të mia artistike. Portretin e gruas që ishte pjesë e skenografisë së festivalit, e shndërruam në portretin e artistit anonim, artistin krijues, artistin e suksesit, siç ishin vetë artistët e festivalit”, tregon Kamberi.
Sipas saj, skenografia iu është besuar atyre nga vetë Radio Televizioni i Kosovës, pjesë e së cilës ato janë tash e 23 vite. Për të ardhur deri tek rezultati final, të dy gratë kanë bashkëpunuar me shumë palë dhe individë, përfshirë bashkëpunimin pothuajse të përditshëm me drejtorin e festivalit, Adi Krasta, i cili ka qenë mjaft kërkues në punë sa edhe vetë skenografet.
“Procesi ka qenë i vështirë, për shkak të veçantisë me të cilën karakterizohej ndërtimi i festivalit të parë të këngës. Mungesa e sallës, mungesa e infrastrukturës përkatëse, mungesa e pajisjeve, na detyronte të punojmë me orare të zgjatura. Pritshmëria ishte e madhe, dhe dukshëm na e shtonte përgjegjësinë në punë. Nuk mund t’a imagjinoni se në çfarë rrethana kemi punuar. E kemi filluar punën në një objekt tërësisht të shkatërruar, dhe sfida jonë kryesore fillestare ishte ndërrimi i destinimit të objektit të rrënuar; nga parking veturash në sallë koncertale. Pas pastrimit të sallës, nga e cila janë larguar mëse 120 kamionë me mbeturina, kemi filluar të bëjmë matjet e qëndrueshmërisë së konstruksioneve të objektit, që të siguroheshim se skenografia, me gjithë elementet e saj dhe ndriçimit, të mund të qëndronte. Prandaj, përgjegjësia që kishim, na e rriste nivelin e stresit. Përfshi, frikën konstante që kishim te elementet lëvizëse të skenografisë si hapja e portës që e mbante portretin, edhe pse e kishim dizajnuar deri në detajin e fundit, së bashku me kompaninë Archtime, eventualisht edhe mund të dështonte, dhe porta te mbetej e mbyllur. Kjo ishte brenga jonë kryesore deri në përfundimin e natës së tretë të festivalit”, tregon Kamberi.
Kurse, për Rudinën, ka qenë një gëzim tejet i madh kur kuptoi se do të punoj në skenografinë e festivalit, por në të njëjtën kohë i është vënë mbi supe edhe ndjenja e përgjegjësisë. Puna ka zgjatur 8 muaj, dhe të dyja kishin hasur në sfida e vështirësi, të cilat kur Rudina sot i kujton, rrëqethet.
Xhaferi thotë se i gjithë procesi mund të ndahet në tri faza. Në fazën e parë përfshihej përcaktimi i hapësirës, buxheti dhe ideja bazë. Insistimi me këmbëngulësi ka qenë i drejtorit të festivalit, Adi Krastës që të rifunksionalizohej salla e Pallatit të Rinisë, meqenëse dëshira e tij ishte që festa të ndodhte në zemër të qytetit.
“Fillimisht të gjithë kemi qenë skeptik me gjendjen e mjerueshme në të cilën ka qenë salla, por që Adi arriti të na bindte të gjithëve. Pas përcaktimit të hapësirës filluam punës. Ishte Festivali i parë i Këngës në RTK si dhe do duhej të ideonim një skenografi me një buxhet shumë më të lartë se që rëndom ishim mësuar të punonim. Më kujtohet që me ditë të tëra kemi diskutu me Shqipen dhe Adin rreth idesë bazë. Duke qenë se ishte festivali i parë i këngës, mundësi e re për artistët e rinj si dhe pretendimi që vitet në vazhdim, Kosova të përfaqësohet në Eurosong, të gjitha këto elemente më shtynë drejtë idesë së krijimit të dyerve të mëdha. Dyert e mëdha janë simbol i madhësisë dhe rëndësisë së momentit, një hapje e një kapitulli të ri, fillimi i një rrugëtimi të jashtëzakonshëm për artistët e rinj në botën e muzikës. Ndjenja e përballjes me një orkestër profesioniste, të shoqëruar nga hapja dramatike e dyerve, mund të forconte emocionet dhe të nxiste ndjenja të forta tek shikuesit, duke i futur ata në një udhëtim të veçantë artistik. Qëllimi jonë ka qenë që skena të dukej madhështore, por me pak elemente.”
Në fazën e dytë, apo ndryshe siç njihej; faza teknike, ishte specifikimi i materialeve, dimensionet, maketa dhe hapja e tenderit. Shqetësimi më i madh i tyre kishte të bënte me kompaninë që do ta fitonte tenderin e realizimit të skenës. Ato u lumturuan shumë që fituese ishte kompania Archetime, në krye me Agim Abdylin, kompani kjo shumë profesionale që arriti ta jetësonte ëndrrën e dy artisteve, ashtu siç e kishin menduar.
Në fazën e tretë, e konsideruar si faza me emocionuese për artistet, ka filluar me realizimin e skenës. Brenga e tyre më e madhe bazohej në gjendjen e sallës. Frika nëse kapriatat do t’i mbanin peshat e rënda të skenës e ndriçimit, qe e madhe. Por, që me një ekip shumë profesional, gjithçka ishte realizuar për mrekulli.
“Hapja ngadalë e dyerve të mbyllura gjigante me portretin e realizuar për mrekulli nga skulptori Burim Berisha dhe asistentët e tij, Arbiasi e Ndriçimi, para fillimit të festivalit krijoi një ndjesi të mrekullueshme dhe misterioze për audiencën, duke i nxitur ata të prisnin me padurim fillimin e ngjarjes. Kur dyert u hapën, duke u shoqëruar me një orkestër gjigante të udhëhequr nga profesionisti Florent Boshnjaku, ndriçimi fantastik nga kompania ASLV nga Shqipëria, grafikat ‘custom made’ në Led Walls, i jepnin dinamizëm skenës. Momenti shkaktoi një ndjesi të mrekullueshme tek audienca”, thotë Xhaferi.
Pas gjithë këtij procesi të tërë, mund të themi se nuk është fare e lehtë që diçka e tillë të merret përsipër. Realizimi i një skenografie të tillë, është sfidë që artistin mund ta zhdëp deri në asht, por për të dy artistet, kjo punë mbetet diçka që nëse do ta kthenin kohën prapa, patjetër që nuk do ta refuzonin.
Për Shqipen, punët e vështira janë inspirim por edhe e sfidojnë shumë. Përkundër lodhjes së madhe që ajo ende e ndjen, padyshim që tërë këtë punë do e bënte sërish, por me më pak frikë. Ndërsa për Rudinën, pavarësisht gjitha ballafaqimeve të projektit, me bindje shprehet se do i kthehej projektit sërish me plot qejf, përkushtim, por mbi të gjitha, dashuri.
Tashmë vulën e skenografisë për Kosovë e kanë në duart e tyre, Rudina dhe Shqipja. Por, në anën tjetër, kemi pyetur artistet se nëse iu ka shkuar ndonjëherë në mendje që të synojnë të punojnë në ndonjë skenë edhe në rajon. Nga të dyja morëm përgjigje pohuese; kryesisht synimet e tyre momentale qëndrojnë në Shqipëri. Për të dyja, mbetet një ëndërr e kamotshme, shfaqja e talentit në vende të huaja, por që për këtë, kërkohet angazhim i lartë dhe kontakte me persona kompetent.
Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi tashmë janë artiste që figurën e gruas janë munduar ta fuqizojnë edhe me punët e mëhershme artistike të tyre. Por në shumicën e rasteve, këto punë artistike ndonjëherë edhe nuk po i lëvizin ujërat aq sa duhet, apo nevojitet për shoqërinë tonë. Për këtë fenomen, kanë folur edhe vetë artistet.
“Në praktikë, shoqëria jonë ka vënë në zbatim norma diskriminuese për gratë. Raste të përditshme të dhunshme të ushtruara ndaj grave, e dëshmojnë këtë fakt. Sado fyese që janë këto norma, sepse për bazë e kanë mizogjeninë. Është e vështirë për gruan të krijoj në një ambient të tillë, patriarkal (përjashto emrat e përvetshëm dhe shumë të suksesshëm). Ne po punojmë për ç’bërjen e këtij mentaliteti, por barazia gjinore, fatkeqësisht, vazhdon të ngelet iluzion”, thotë Kamberi. Kurse, për Rudinën, synimi qëndron tek frymëzimi tutje nëpërmjet punës së palodhshme artistike. “Besoj se çdo individ, pavarësisht gjinisë, ka potencialin për të kontribuar në shoqëri në mënyra të ndryshme. Për ne, si artiste, synimi është të ndikojmë dhe të frymëzojmë çdo gjë përmes punës sonë artistike. Megjithatë, ka ende shume sfida dhe punë për t’u bërë në shoqërinë tonë. Ne vazhdojmë të përqendrohemi në të qenurit inovative dhe në ndikimin pozitiv që mund të kemi si tek vajzat ashtu edhe tek djemtë, duke pasuar një qasje të përgjegjshme dhe të përfshirë në çdo projekt që ndërmarrim.”
Duke prekë patriarkatin e deri në ditët moderne, figura e gruas na ka ardhur në shumë dimensione të artit. Duke qenë njohëse të artit, Shqipja është shprehur se filmi është dega kryesore nëpërmjet së cilës shprehet më lehtë e më fuqishëm pozita e gruas në shoqëri.
“Arti në tërësi, ka fuqi për të bërë ndryshime. Nga perspektiva ime, besoj që filmi e ka fuqinë më të madhe për të bërë ndryshime, për shkak të shtrirjes që ka dhe influencës që gëzojnë aktorët në masë. Padyshim, edhe muzika ka ndikim.”
Në anën tjetër, Rudina ka thënë se çdo lloj arti, ka aftësinë unike të vetën për të shpërndarë mesazhe dhe ndikuar në opinionin publik.
“Për mua, arti është një shprehje universale e njerëzimit që duhet të vlerësohet për cilësinë dhe vlerat e tij artistike, jo për gjininë e krijuesit. Duke shikuar në rrugëtimin e artit nga patriarkati deri në ditët moderne, vërej se figura e gruas ka pasuar një evolucion të rëndësishëm. Megjithatë, në vend që të përqendrohem në një fushë të veçantë të artit si mjet për të ndryshuar pozitën e gruas në shoqëri, unë do të përqendrohem në aftësinë e artit për të shpërndarë mesazhe universale. Në fund, e konsideroj se cilësia e një vepre artistike duhet të vlerësohet pavarësisht nga gjinia e krijuesit, sepse arti është një formë e shprehjes së lirë dhe universale, që mund të ndikojë në ndryshime të thella shoqërore dhe kulturore.”
Ndërkohë, përderisa jemi duke iu afruar fundit të intervistës, me të dy artistet kemi biseduar rreth natyrës së angazhimeve të tyre në ditët e tanishme. Kuptuam se Shqipja pas mbarimit të angazhimeve të saj për xhirimet e programit festiv në Radio Televizionin e Kosovës, mezi po i pret disa ditë pushimi, që për të janë tejet të nevojshme. Ajo vitin 2023 e konsideroi si vitin më të ngarkuarin të sajin, për sa i përket aspektit profesional.
Në anën tjetër, Rudina na tha se është e lumtur për gjithë punën e saj skenografike në televizion tash e 20 vite, dhe tashmë angazhimi i saj në RTK ka përfunduar me Festivalin e Këngës. Atë tashmë do e shohim në rolin e profesoreshës, pranë studentëve të cilët kanë se çka të mësojnë nga ajo.
“Kjo përvojë më ka dhënë njohuri të shumta dhe ka ndikuar në zhvillimin tim profesional si një krijuese artistike. Kjo periudhë ka qenë e pasur me sfida dhe suksese, dhe jam e lumtur që kam arritur ta përfundoj kapitullin tim në RTK me një sukses të jashtëzakonshëm siç ishte projekti i Festivalit të Këngës. Tani jam profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Arteve, pranë Universitetit të Prishtinës. Puna me studentë për mua është një pasion dhe një dëshirë që ka rrënjë thellësisht në lidhjen time me artin dhe dëshirën për të ndarë njohuritë dhe pasionin tim me brezin e ri artistik. Këto momente të ndarjes së njohurive dhe të shikimit të studentëve duke zhvilluar talentet e tyre janë një burim i vërtetë kënaqësie dhe krenarie. Pasioni për të zhvilluar kreativitetin dhe talentin e tyre dhe dëshira për t’i ndihmuar ata të shohin potencialin e tyre unik, janë forcat kryesore që më motivuan për të zgjedhur këtë rrugë”, shpalos Xhaferi.
Krejt për fund, viti 2023, nëse i referohemi festivalit, mund ta konsiderojmë se është një vit shumë i suksesshëm sa i përket artit të dy artisteve, por në vitin 2024, po i presim me padurim projektet e tyre të radhës, për të cilat të dy artistet akoma nuk mund të flasin. / KultPlus.com