3 Gusht, 2022 - 6:00 pm
Franco Azzinari, piktori arbëresh me famë botërore i njohur ndryshe si ‘Piktori i Erës”. Lindi në Shën Mitri – San Demetrio Corone, në provincën e Kozencës më 3 mars 1949.
Pas vdekjes së prindërve në moshën 14-vjeçare largohet nga Kalabria. Kështu fillon edhe rrugëtimi i formimit të tij për një kohë të gjatë e në vende të ndryshme të Europës. Për disa vjet jeton në Paris, ku mahnitet prej piktorëve të mëdhenj impresionistë si Gogen, Van Gog dhe Monet, artistë që patën ndikim thelbësor në formimin e tij. Për të siguruar jetesën në Francë nisi të bënte portrete turistësh në rrugë.
Në vitin 1973 u vendos në Lerici, Liguria ku në vitin 1974 hap ekspozitën e tij të parë personale në galerinë ‘La Cattedrale’. Në vitin 1992, gjatë një vizite në Kubë, rigjen te personazhet, peizazhet, vendet dhe ngjyrat tokën e tij të origjinës. Në vitin 2001 lind projekti ‘Franco Azzinari – Cuba’, që shfaqet në galerinë e Muzeut Kombëtar të Havanës dhe në vijim edhe në disa qytete të tjera të Italisë. Ka udhëtuar shumë në Azinë e Largët, Afrikë, Kubë e Brazil, ishujt Sejshell, duke sjellë personazhe të veprave, si ato të Heminguejit apo mitologjisë greke.
I magjepsur prej Ernest Heminguejit, ecën në gjurmët e shkrimtarit dhe pikturon vendet dhe personazhet që ai i donte fort, si në Kubë ashtu edhe në Kenia e Tanzani. Në dhjetor 2008, Universiteti i Kalabrisë organizon një ekspozitë dhe publikon katalogun me titull: ‘Azzinari: në kërkim të Heminguejit’.
Në vitin 2010, Ministria Kubane e Kulturës, për pesëdhjetëvjetorin e vdekjes së shkrimtarit të famshëm amerikan, organizoi ekspozitën me piktura ‘Në kërkim të Heminguejit’, në kullën e Muzeut Heminguej në Havana.
Në dhjetor të po atij viti, gjatë një takimi me mikun e tij shkrimtar Gabriel Garcìa Màrquez, të cilin e admironte, lindi ideja për ekspozitën ‘Shprehi të Garcìa Màrquez. Njëzet portrete kushtuar autorit të ‘Njëqind vjet vetmi’ janë ekspozuar në Havana, në Fondacionin ‘Cine Latino Americano’, nga 8 dhjetori 2011 deri më 10 janar 2012. Në vitin 2015 pas një takimi me Francis Ford Coppola, lind projekti “Bota shpirtërore e Francis Ford Coppola me 20 portrete në vaj.
Shkoi në Greqi ku u frymëzua nga mitologjia greke dhe realizoi një seri veprash që reflektojnë personazhet dhe peizazhet e vendit. Aktualisht jeton mes Italisë dhe Greqisë./diasporashqiptare/ KultPlus.com