9 Shkurt, 2021 - 8:26 pm
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët ka publikuar një material kushtuar piktorit të njohur Ibrahim Kodra, që lindi në Ishëm, më 22 prill 1918 dhe u nda nga jeta më 7 shkurt të 2006 në Milano, Itali.
Ibrahim Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht. QSPA shkruan se pas një karriere të gjatë artistike, Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.
“Në formimin artistik të Kodrës, kubizmi i Pablo Pikasos ka pasur shumë ndikim, sidomos pas miqësisë që lindi mes tyre në Romë më 1948, e cila ra në sy deri në atë pikë sa të njëjtat gazeta spanjolle që shkruanin për Pikason, e përshkruanin edhe Kodrën si “postkubisti i fundit në Evropë”.
Në moshë shumë të re, kur ishte vetëm 20 vjeç u largua me një bursë studimi drejt Romës.
Ndër të shumtat vizita dhe periudha jetese në vende të ndryshme të botës, dallohet periudha në të cilën jetoi në disa fshatra arbëreshe në Jug të Italisë, ku me artin e tij përjetësoi shtëpitë tipike arbëreshe, të komunës së Citivas, të cilat nëpërmjet artit të Kodrës u bënë të njohura botërisht si: “Le case Kodra” (Shtëpitë Kodra)”, shkruan QSPA. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur ishte 20 vjeç (1938) dhe largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.
Ai e lëshon Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Piktori Ibrahim Kodra ekspozon veprat e tij në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poete, shkrimtarë, Kritike e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta.
Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me Pablo Picasso, pikërisht në këtë temë në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, në të cilën të dy së bashku ata kryen një hulumtim të thellë artistik. /sot/ KultPlus.com