7 Shkurt, 2025 - 5:00 pm
Ibrahim Kodra, postkubisti i fundit i Evropës, u nda nga jeta më 7 shkurt të vitit 2006 në Milano të Italisë.
U largua nga Shqipëria më 1938, në moshën 20-vjeçare, pas përfitimit të një burse studimi që iu dha nga Oborri Mbretëror, për të vazhduar studimet pranë Akademisë së Arteve të Bukura të Romës (Itali).
La pas rreth 6 mijë vepra, por mendohet të ketë edhe shumë të tjera të papërcaktuara si autorësi, për faktin se kanë qenë dhurata për miq të piktorit. Ndër to vetëm 2 mijë janë të dokumentuara dhe të njohura për autorësinë dhe trashëgiminë intelektuale të artistit. Një pjesë e konsiderueshme e krijimeve të tij ndodhen të shpërndara në muze të ndryshëm privatë dhe një pjesë tjetër i disponojnë koleksionistët e veprave të artit.
Në vitin 1948, Ibrahim Kodra krijoi një marrëdhënie shumë të veçantë me piktorin e madh Pablo Picaso, prej të cilit u ndikua për një pjesë të krijimeve të tij. Të dy së bashku kryen edhe një studim të rëndësishëm artistik. Mediet dhe kritika e kohës e emërtuan Ibrahim Kodrën si “postkubistin e fundit të Evropës”.
Një ndër elementët që e dallojnë ishin “Le case Kodra” (shtëpitë Kodra) dhe elementi u bë subjekt i krijimtarisë së piktorit në kohën që ai jetoi në disa fshatra të komunës Civita të Italisë së Jugut, dhe ishin pikërisht shtëpitë e banuara nga arbëreshët ato që u bënë të njohura në mbarë botën vetëm prej faktit se ishin subjekt i muzës së piktorit shqiptar./atsh/KultPlus.com