26 Maj, 2023 - 10:37 am
Festivali i Kanës është një nga ngjarjet më prestigjioze të botës së filmit, ku personalitete të shquara nga fusha e artit dhe showbiz-it takohen për të shkëlqyer nën dritat e tapetit të kuq, shkruan KultPlus.
Ajo çka më së shumti merr vëmendje në këtë festival, padyshim është dukja e yjeve. E kur flasim për dukjen, në këtë mbrëmje është parë edhe një kreacion i disenjatores shqiptare, Artinë Ahmeti e cila është përkujdesur për veshjen e ikonës së modës, Anastasia Dymchenko, njëherit top modelja italiane e vitit 2018.
Krijimin e një veshje për tapetin e kuq në Festivalin e Kanës, disenjatorja shqiptare e mori si sfidë për t’u shfaqur në një skenë kaq të madhe dhe për të treguar potencialin e saj artistik. Bashkëpunimi me Anastasia Dymchenko, një nga top modelet më të njohura të Italisë dhe ikonë e modës solli si rezultat një veshje të punuar me delikatesë dhe elegancë që nuk kaloi pa marr vëmendjen e merituar.
Artinë Ahmeti është një prej disenjatorëve më të talentuara të industrisë së modës në Kosovë. Me një vizion të veçantë dhe aftësinë për të kapur frymën e kohës, ajo ka arritur të tërheqë vëmendje edhe në skenën ndërkombëtare të modës dhe paraqitja e saj në Cannes është vetëm një sukses i radhës për të.
Në festivalin e Cannes ëdhe këtë vit parakaluan emra të njohur botëror si: Dua Lipa, Bebe Rexha, Di Caprio, Gigi Hadid, Irina Shayk e shumë të tjerë. / KultPlus.com