Ikonat e rëndësishme të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar

18 Shkurt, 2025 - 1:31 pm

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar është vendi i duhur për të zbuluar ikonat dhe domethëniet e tyre, duke u përfshirë në botën e mbinatyrshme.

Aty, artdashësit mund të njihen me rregullat që bota bizantine vendosi për të përcjellë fjalën e saj, figurativisht.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar përmes ciklit “Zbulo ikonën bizantine” publikon vazhdimisht imazhe të ikonave që gjenden në fondin e tij.

Sot MKAM përzgjodhi të publikojë ikonën “Shën Dhimitri” IN 7610, me autor Kostandin Jeromonaku.

Shën Dhimitri ashtu si Shën Gjergji janë ikona që vijnë nga kisha e Shën Kollit në Voskopojë. Ato janë vepra të një cilësie superiore artistike, pikturuar në periudhën kur arti postbizantin në Shqipëri pati një rilindje të dytë me një plejadë artistësh të shquar që pikturuan afreske dhe ikona të lëvizshme.

Ikona është punuar nga Kostandin Jeromonaku, në vitin 1725. Shën Dhimitri, një nga shenjtorët më popullorë, paraqitet mbi kalin e kuq duke vrarë mbretin bullgar, për të mbrojtur qytetin e Selanikut. Bishti i lidhur i kalit tregon rangun e lartë të shenjtit në hierarkinë ushtarake. Figura e Shën Dhimitrit paraqitet në një shkallë disa herë më të madhe në raport me kalorësin tjetër dhe dominon gjithë kompozimin. Ikona është e pasur me detaje të shumta.

Ikonografi ka pikturuar muret rrethuese të qytetit me kishat, ku në pjesën e sipërme shihen shtatë kullat të cilat janë edhe sot në këtë qytet. Paraqitja në mënyrë të stilizuar shfaq mjeshtërinë e lartë të artistit. Poshtë paraqitet deti i dallgëzuar me anijet luftarake.

Shën Dhimitri është shenjti mbrojtës i qytetit të Selanikut dhe kjo paraqitje lidhet me mrekullinë që ai bëri gjatë rrethimit bullgar./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme