Ilir Muharremi: Logoja nuk është plagjiaturë por përsëritje e monotonshme

14 Janar, 2018 - 3:00 pm

Pas ndërrimit të logos së 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, e cila doli të jetë plagjiaturë nga dy dizejner që kishin fituar në konkurs, erdhi logoja tjetër nga dizajneri Zeni Ballashi.

Kjo logo fillimisht doli të jetë e pëlqyer mjaft shumë, derisa mbrëmë u publikua një fotografi që tregonte logon e njëjtë të krijuar nga vetë ky artist para tri vitesh për kongresin e partisë BDI në Maqedoni, shkruan KultPlus.

Nuk zgjati shumë dhe nisën reagimet në lidhje me atë se kush e ka ‘fajin’ për dy incidentet që po ndodhin në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, incidente këto me logo që nuk janë krijuar enkas për këtë ditë. Një ndër reagimet ka ardhë edhe nga artisti njëherësh kritik arti-Ilir Muharremi.

Ai në rrjetin social Facebook, ka shkruar se artisti e përsërit logon e vitit 2015-të të punuar në Maqedoni dhe që sipas tij, kjo i bije me u pagu për të njëjtën punë dy herë.

Po sjellim të plotë e pa ndërhyrje shkrimin e Ilir Muharremit:

“Pasi u anulua logoja plagjiat, tash fitoj logo tjetër vetëplagjiaturë. Artisti përsërit logon e vitit 2015 të punuar në Maqedoni. Kjo i bije si mu pagu për të njëjtën punë dy herë. Koncepti është i njëjtë: 6 yje i kanë të dyja logot, vetëm ndërron pak mënyra e dizajnimit edhe numri 10 është në të njëjtën mënyrë. Thjeshtë, autori dy herë e ka shit mallin e njëjtë. Kjo është turp i madh! Këtë s’mund ta quajmë plagjiaturë, natyrisht sepse janë të krijuara nga i njëjti autor. Por, autori është dashur të krijoj diçka unike gjithmonë duke respektuar stilin e tij dhe si avancim të punës së më hershme unë nuk e shohë, por përsëritje, dhe përsëritje monotone. Kjo vepër më shumë po duket si një tregti si mall i njëjtë për t’u shitur sesa kreativitet unik dhe enkas i punuar për 10 vjetorin e pavarësisë. Ndoshta edhe artisti nuk e kishte kohën e mjaftuar sepse dy ditë më parë njëra logo u anulua dhe si për shpejt është dashur të zgjidhet një tjetër. Vetëm ka nxjerrë nga arkivi dhe ka modifikuar shumë pak logon e vjetër”, ka shkruar Muharremi./ KultPlus.com

Të ngjajshme