17 Tetor, 2017 - 11:00 am
Ambasada e Çekisë në Prishtinë, me rastin e Ditës Kombëtare të Çekisë sot më 17 tetor, organizon pritje të titulluar “Imagjino…”, shkruan KultPlus.
Video spoti tre minutash i quajtur “Imagjino…” do të shfaqet para mysafirëve. Video spoti paraqet një seri të fotografive të ambasadorit çek z. Ivo Silhavy, i cili i ka përmbledhë punimet e tij tri vjeçare në Kosovë – në tre minuta. “Imagjoni…”, rrumbullakon ekspozitat e më parme që filluan në tetorin e vitit 2014 me video spotin “Havelli përgjithmonë” dhe u pasuan nga fotoekspozitat “1984”, në qershor 2015, dhe “Një ditë si kjo…”, në tetor 2015, “Kohërat po ndryshojnë”, në maj 2016, “Praga Panoramike”, në qershor 2016 dhe “Në Kosovë me dashuri”, në qershor 2016.
“Kur erdha në Kosovë para tri viteve, në pritjen time të parë në Prishtinë u luajt “E tëra që ju duhet është dashuria”, nga Beatles. Për këto tri vite, unë jam vënë në kërkim të dashurisë, ndjeshmërisë dhe respektit në Kosovë. Unë, kam gjetur shumë nga këto dhe provova t’i përmbledhë në fotografitë e mia – ku pamjet janë më të fuqishme se sa fjalët. I inspiruar nga John Lennon, unë ju prezantojë “Imagjino…”, për ta ndarë këtë dashuri dhe lumturi dhe për të sjell një humor të mirë tek të gjithë mysafirët në përditshmërinë tonë. Kjo është shumë e lehtë vetëm shikoni fotografitë dhe imagjinoni…”, thotë ambasadori Silhavy .
“Imagjino…” është një mozaik i 31 fotografive të kryetarëve të Kosovës, kryeministrave, politikanëve të tjerë, artistëve, të gazetarëve, të fëmijëve, të pjesëtarëve të pakicave… Të gjithë e kanë një çështje të përbashkët dhe shumë të rëndësishme: LUMTURINË.
Sot në Ditën Kombëtare të Çekisë kremtohet dita e pavarësisë së Çekosllovakisë, më 1918. Pritja organizohet në Prishtinë, “Sheshi 21” dhe fillon në orën 18.00./ KultPlus.com