Indefinite Institute organizon ekspozitën ‘Gërshetë’ për shënimin e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore

24 Nëntor, 2024 - 7:38 pm

Në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 ditët e aktivizimit me bazë gjinore”, Indefinite Institute organizon ekspozitën “Gërshetë”, e cila do të hapet të marten nga artisja feministe Ms. Indefinite, në Shtëpinë e Kulturës KINOATELIÉ, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Gërshetë” është aktivizëm feminist artistik në të cilën gërshetohen aktivitete artistike për shënimin e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Kjo ekspozitë gërsheton video-performanca dhe video-instalacione si manifestime të një arti performativ për fushatën ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me BazëGjinore”.

Një imazh vajze/gruaje me flokë të vëna në pah, është ikona arketipale e gjithë gjithnajës femërore! Fije floku të mbledhura bashkë nëpër tufa dhe të ndara mes tyre në flokë fije-fije, si tufa flokësh të ndërfutura mes tyre dhe të lidhura, të mbledhura gërshetë. Ndër tradita spirituale arkaike, tri tufa flokësh që ndërlidhen mes tyre duke formësuar një gërshetë, besoheshin si përbashkim i trupit, i mendjes dhe i shpirtit. Gërsheti është stili më i vjetër i flokëve i dëshmuar në histori, që datohet mbrapa deri 30 mijë vite më parë. Që nga gërshetat e Venerës së Vilendorfit dhe Venerës së Brassempouyt në parahistori, vazhduar deri tek Venerat e Botticellit në Renesancë dhe ardhur deri tek gërshetat e prera të grave iraniane si revoltë dhe kundërshti ndaj regjimit teokratik dhe shtypës në Iran, përtej praktikimit të tyre, flokët gërshetë janë simbolizuar dhe politizuar përherë në publik.

Përballë historive të dhunës mbi bazë gjinore në Kosovë, e artikuluar në trajtë të pashquar, pra si Gërshet, ekspozita gërsheton aktivitete dhe vepra arti në një gërshet video-performancash dhe instalacionesh feministe, si dhe një performancë që do të ekzekutohet në hapje të ekspozitës nga Ms. Indefinite.

Hapja bëhet me 26 Nëntor, në ora 18:00, në Shtëpinë e Kulturës KINOATELIÉ, dhe do të qëndroj e hapur deri me 4 Dhjetor.

Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Shtëpia e Kulturës KINOATELIÉ, e implementuar nga Indefinite Institute./ KultPlus.com

Të ngjajshme