5 Dhjetor, 2017 - 9:43 am
Pesë vjet pas alarmimit se veprat e skulptorit Agim Çavdarbasha po shkatërrohen, Ministria e Kulturës e ka bërë hapin e parë konkret për t’iu përgjigjur thirrjes për konservimin e tyre.
Bëhet fjalë për ato që zënë vend në galerinë-muze të tij.
Në Projektligjin e buxhetit për vitin 2018, ky institucion tek kategoria e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore ka paraparë 50 mijë euro për projektin e konservimit, shkruan sot “Koha Ditore”. Por, megjithatë, veprat të cilat ndodhen në oborrin e galerisë-muze në Çagllavicë − për të cilat familja shpeshherë ka alarmuar se ndodhen në prag të shkatërrimit − të paktën edhe sivjet do t’u ekspozohen reshjeve atmosferike.
Nevojë për trajtim kanë edhe veprat prej druri që ndodhen brenda galerisë, e të cilat janë dëmtuar nga një lloj insekti. Fondacioni që mban emrin e skulptorit të ndjerë disa herë kishte bërë kërkesë në MKRS për ndihmë financiare.
Për të parën herë kërkesë për shpëtimin e krijimtarisë së Çavdarbashës, Sebahate Çavdarbasha, udhëheqëse e “Fondacionit Çavdarbasha”, e kishte bërë më 2013, kur ministër i Kulturës ishte Memli Krasniqi. E në shtator të vitit 2015, ajo e kishte dërguar projektpropozimin në MKRS, për të kërkuar ndihmë financiare për konservimin e skulpturave.
Dhe kishte kërkuar takim me ministrin e Kulturës, asokohe Kujtim Shala, por s’kishte marrë asnjëherë përgjigje. E tek në vitin që vjen MKRS planifikon t’i përgjigjet kërkesës së familjes, që disa herë e ka përsëritur alarmin se veprimtaria e skulptorit të njohur rrezikon të zhduket krejtësisht nëse nuk shpëtohet./ KultPlus.com