27 Nëntor, 2018 - 10:20 pm
Për javë me radhë, qytetarët e Kosovës kanë pasur mundësi që në rrjetin social Instagram të dokumentojnë praktikat e mira të mbrojtjes së ambientit dhe dëmin që i bëhet ambientit në forma të ndryshme.
Duke përdorur hashtagun #GiveGreenAChance dhe #EUinKosovo, qytetarët kanë fotografuar ambiente të bukura, ku natyra ruhet në mënyrën më të mirë, dhe ambiente ku mbeturinave hudhen në vende të panevojshme dhe kësisoj ambienti e mjedisi përreth nesh ndotet dhe paraqet rrezik për ne.
E disa prej këtyre fotografive, gjegjësisht 11 prej tyre, sonte u prezantuan në ekspozitën ‘Insta Green’ në EUICC – Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Erza Kurti është një prej atyre që ishin pjesë e ekspozitës me anë të fotografisë së realizuar. Fotografia e saj lë shumë për të dëshiruar, në aspektin e mbrojtjes së mjedisit në Kosovë.
“Unë tentoja me e fotografu edhe banesën afër ndotjes aty, me tregu që këtu është edhe një ambient banimi. Fotografinë e kam realizuar tek Rruga B, shumë afër banesës sime” ka treguar sot Erza Kurti në hapjen e ekspozitës.
Në mesin e 11 fotografive, disa ishin të realizuara nga Blerdi Malushi, Arineta Mula, Leunita Syla dhe të tjerë qytetarë që u përzgjodhën të ishin pjesë e ekspozitës, shkruan KultPlus.
Dimitrios Machairidis nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tregoi se qëkur ka ardhur në Kosovë e ka vërejtur se këtu qytetarët kanë një talent për fotografim dhe se kjo është vërejtur edhe në ata të cilët kanë realizuar fotografitë për këtë ekspozitë, në Instagram.
Derisa Vjosa Berisha nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian e shpalli të hapur ekspozitën duke treguar se angazhimi i kësaj Qendre për mjedisin do të vazhdojë edhe më tutje dhe nuk do të kufizohet në vetëm mbajtjen e kësaj ekspozite, këtë natë në hapje folën edhe dy prej kampionëve të Fushatës për Mjedis, e cila po organizohet momentalisht në Kosovë.
Lum Zhaveli dhe Arineta Mula, dy prej katër kampionëve të Fushatës, treguan se sa janë të privilegjuar me përfshirjen në këtë Fushatë me rëndësi për qytetarin e Kosovës.
Ekspozita u hap sonte si pjesë e Fushatës për Mjedis, e cila ka nisur në fund të shtatorit dhe do të vazhdojë deri me 6 dhjetor, e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga EUICC. / KultPlus.com